Ministri Beqaj: Sigurimet shëndetësore s’janë efikase

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, deklaroi sot se sigurimet shëndetësorenuk janë efikase dhe se një numër i madh familjesh varfërohen e thuajse falimentojnë kur një pjestar i tyre sëmuret.

Në paraqitjen e gjetjeve të monitorimit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor Parësor në Shqipëri, Beqaj tha se ky shërbim ka nevojë të reformohet.

“ A janë apo jo efikase sigurimet shëndetësore? Ne besojmë që jo dhe këtë gjë e kemi të sanksionuar në programin e qeverisë. Besojmë që jo sepse të paktën në Shqipëri pas 20 vitesh që po zbatohen praktikisht të paktën gjysmën e popullësisë në moshë pune e kemi pa këto sigurime dhe për pasojë nuk përfiton nga Sistemi i Kujdesit Shëndetësor, përveç rasteve të urgjencave mjekësore, apo raste të veçanta të përcaktuara në ligj.

Së dyti, edhe ata që i kanë sigurimet, sidomos ata në moshë pune, nuk po flasim këtu për të sëmurët kronikë apo invalidët, praktikisht përfitojnë shumë pak prej tyre. Kjo sepse kemi një sistem jo prezent kudo të aksesueshëm dhe një sistem goxha burokratik brenda hallkave të domosdoshme të sistemit të referimit.

A ka familje që falimentojnë, apo a ka familje që bien në varfëri sepse nuk përballojnë dot kostot e shërbimit shëndetësor? Po, vazhdon të ketë. Sidomos për sëmundje, të cilat janë ende shumë të kushtueshme. Prandaj kërkojmë që të spostojmë sa më shumë vëmendjen tek parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm, i cili padyshim bëhet në Shërbimin Parësor.

Që do të thotë kërkon më shumë infrastrukturë në këtë shërbim, më shumë pajisje ekzaminuese dhe padyshim dije sa më të freskëta dhe të rifreskueshme për personelin shëndetësor”.

SHKARKO APP