Ministri Çuçi dekoron ekipin e FRONTEX
Në 2-vjetorin e fillimit të operacioneve të përbashkëta me FRONTEX në Shqipëri, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dekoroi disa zyrtarë të lartë të këtij misioni, gjatë një ceremonie të zhvilluar në drejtorinë rajonale të Kufirit në Gërhot të Gjirokastrës. Çuçi akordoi medalje nderi për Zoltán Nagy, i cili është drejtuesit i njësisë ndërsa kreu i Policisë së Shtetit Ardi Veliu u dha certifikata mirënjohje dy koordinatorëve të këtij këtij misioni Mathias Roeske dhe Goran Borovnik. Operacioni FRONTEX ka shënuar rezultate impresionuese në harkun e këtyre dy viteve dhe ka dhënë një kontribut substancial në kontrollin dhe frenimin e migracionit të paligjshëm.
”U bënë dy vjet që ne në Shqipëri për herë të parë kemi filluar një bashkëpunim të një natyre tjetër midis vendeve të BE, dhe vendeve që nuk janë pjesë e BE. Dhe sigurisht para dy vjetësh mendonim që ky bashkëpunim do ishte i suksesshëm, dhe do sillte pa diskutim përparim në luftën kundër trafiqeve apo emigracionit të paligjshëm. Dhe sot drejtori na bëri një paraqitje të përmbledhur të të gjithë rezultateve që ka pasur ky mision shumë i rëndësishëm.
Por pavarësisht nga niveli i rezultateve, unë mendoj që gjëja më e padiskutueshme, sepse gjithmonë rezultatet mund të kenë, siç rëndom sot në botë kanë filluar edhe faktet alternative, mund të kenë këndvështrime të ndryshme, mund të shikohen me optimizëm, me pozitivitet, sikundër mund të shikohen nga disa edhe me një sens kritik. Pavarësisht nga kjo, një gjë që është e pakundërshtueshme në këtë model të jashtëzakonshëm bashkëpunimi është vullneti i qeverisë shqiptare për të qenë pjesë e BE. Aspirata e Shqipërisë është të jetë pjesë e BE, dhe janë pikërisht operacione të tilla apo marrëveshje bashkëpunimi të kësaj natyre që e jetësojnë këtë aspiratë të shqiptarëve për të qenë pjesë e BE.
Dhe unë sot jam krenar si Ministër i Brendshëm i RSH që kemi fituar besimin e të gjithë niveleve të sigurisë të policisë të BE, për të qenë bashkëpunëtorë: të denjë, të barabartë, në një mision të përbashkët. Për ruajtjen e sigurisë të kufijve të Europës dhe ruajtjen e sigurisë të jetës të europianëve”.