Ministri Hoxha për procesin e integrimit: Kapitujt e BE-së mund të mbyllen vitin e ardhshëm
Ministri i Europës dhe i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha gjatë bashkëbisedimit me gazetarët e huaj, tha se Shqipëria ka një objektiv ambicioz, por realist për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian brenda vitit të ardhshëm. Ai u shpreh se arritjet e deritanishme janë konsideruar ambicioze, duke kujtuar se vetëm pak vite më parë ishte e vështirë të besohej se Shqipëria do të arrinte të hapte të gjithë grupkapitujt brenda 11 muajsh.
”Kemi një ambicie që t’i mbyllim të gjithë kapitujt vitin tjetër. Kjo është një ambicie që për ne është realiste. Ccdo gjë që kemi bërë deri tani ka qenë ambicioze. 3-4 vjet më parë nuk do të gjenit dikë që do të besonte se do të çelnim të gjithë grup kapitujt për 11 muaj. Nuk është rastësi. Nuk ishte thjesht ëndërr apo dëshirë por mbështetur në themelin e punës sonë, qartësia e objektivave, angazhimi dhe vendosmëria e hekurt, konsensusi mbarëkombëtar, përgatitja e vendit dhe ekipi ynë që punon”,-tha Hoxha.
Ministri shtoi edhe se vendi ynë ishte i pari që negocioi me metodologjinë e re të BE-së, ku përmbushja e piketave të ndërmjetme është kusht për kalimin në fazën pasuese. Sipas tij, 24 kriteret e përkthyera në 92 detyrime konkrete janë përmbushur plotësisht, duke dëshmuar gatishmërinë e Shqipërisë për të vijuar procesin.
“Jemi mirënjohës për të gjithë për mbështetjen e Bashkimit dhe Komisionit Europian , kjemi punuar fort për të bërë realitet këtë. I celëm kapitujt për 11 muaj që është e pashembullt. Kyç ishte përmbushja e piketave të ndërmjetme. Ishim vendi i parë që negocionim me metodikën e re, që ka vendosur një kusht të posaçëm, që përmbushja e piketave të ndërmjetme është kusht për fazën e rradhës. Ishim shumë të lumtur. Ishte fryti i një pune të jashtëzakonshme.
Ky ka qenë provimi i parë fare në këtë proces. Ka treguar nivelin e gatishmërisë se 24 kriteret e përkthyera në 92 hendeqe konkrete u plotësuan. Procesi ishte skrupuloz dhe Shqipëria përmbushi piketat e ndërmjetme. Pra Shqipëria ka dhënë garanci të mjaftueshme që në kapitujt 23 dhe 24 deri më tani, procesi është solid dhe tani nisim me mbylljen e kapitujve. Ne shpresojmë që do të mund të mbajmë këtë ritëm, këtë vrull dhe të vijojmë me fazën tjetër në javët apo muajt që vijnë”.
KOHA JONË SONDAZH

