Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari: Dronë, radarë dhe makina inteligjente kundër kaosit në rrugë
Albert Vataj
Në një kohë kur rrugët shqiptare vijojnë të mbeten arenë tragjedish të përditshme, ku bilanci i aksidenteve rëndohet nga humbja e jetëve, plagosjet dhe pasojat sociale që lënë pas, institucionet shtetërore duket se po kalojnë në një fazë tjetër të kontrollit dhe mbikëqyrjes së qarkullimit rrugor. Lufta kundër shkeljeve të Kodit Rrugor nuk po mbështetet më vetëm te prania fizike e policisë në terren, por gjithnjë e më shumë te teknologjia inteligjente, e cila synon të shndërrohet në një “sy të pagabueshëm” mbi çdo aks kombëtar.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka publikuar në rrjetet sociale një video të Policisë Rrugore, ku shfaqen episode alarmante të shkeljeve të rregullave të qarkullimit nga drejtues mjetesh: parakalime të rrezikshme, shpejtësi tej normave të lejuara, manovra që rrezikojnë jo vetëm jetën e drejtuesve, por edhe të qytetarëve të pafajshëm që ndodhen në rrugë.
Pamjet janë më shumë se një kronikë shkeljesh. Ato janë një dëshmi e një kulture të munguar përgjegjësie në raport me ligjin dhe jetën. Në shumë raste, rruga vazhdon të perceptohet si hapësirë ku triumfon arbitrariteti individual dhe jo rregulli kolektiv. Pikërisht kjo gjendje ka vënë në lëvizje strukturat ligjzbatuese dhe institucionet përgjegjëse për administrimin e sigurisë rrugore.
Sipas mesazhit të ministrit, shteti do të përdorë tashmë mjete të avancuara teknologjike për të monitoruar në kohë reale çdo shkelje në akset rrugore. “Me makinat inteligjente, dronë dhe radarë modernë, teknologjia është tashmë në çdo aks rrugor për të monitoruar në kohë reale shpejtësinë, parakalimet e rrezikshme, përdorimin e alkoolit në timon dhe çdo shkelje që rrezikon jetën e qytetarëve. Rregullat e qarkullimit nuk janë zgjedhje, por detyrim për të gjithë. Syrit të pagabueshëm të teknologjisë nuk i shpëton dot askush”, shkruan ai në publikimin që shoqëron videon.
Ky është një paralajmërim i qartë se epoka e kontrollit sporadik po zëvendësohet nga mbikëqyrja permanente. Dronët, radarët dhe automjetet inteligjente nuk lodhen, nuk shpërqendrohen dhe nuk tolerojnë. Ata regjistrojnë çdo tejkalim shpejtësie, çdo hyrje të gabuar, çdo parakalim të rrezikshëm dhe çdo sjellje që mund të kthehet në shkak tragjedie.
Në thelb, kjo nuk është vetëm një çështje teknologjie. Është një përpjekje për të ndryshuar vetë kulturën e qarkullimit rrugor në Shqipëri. Sepse aksidentet nuk ndodhin rastësisht. Shumica e tyre lindin nga papërgjegjshmëria, arroganca në timon, mungesa e vetëpërmbajtjes dhe shpërfillja e ligjit. Çdo shkelje është një bast me jetën.
Për vite me radhë, statistikat e aksidenteve kanë qenë një alarm i vazhdueshëm për shoqërinë shqiptare. Çdo familje e goditur nga humbja në rrugë është një kujtesë se siguria rrugore nuk është thjesht çështje gjobash apo procedurash administrative, por një detyrim qytetar dhe moral. Në këtë kuptim, përdorimi i teknologjisë nuk synon vetëm ndëshkimin, por edhe parandalimin.
Mesazhi që përcillet është i drejtpërdrejtë: rruga nuk është territor i pandëshkueshmërisë. Nëse deri dje shumë shkelës mbështeteshin te mungesa e kontrollit, sot përballen me një sistem monitorimi që synon të jetë i gjithpranishëm. Dhe ndoshta, pikërisht ky “sy nga qielli” mund të shërbejë si kujtesa më e fortë se respektimi i rregullave nuk është kufizim i lirisë, por mbrojtje e jetës.
KOHA JONË SONDAZH

