Ministri Klosi: Mjedis i pastër si shtëpitë tona
Në Ditën Botërore të Turizmit, Ministrit i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi se 2018-ta, i shpallur si viti i Skënderbeut, është gjithashtu një moment për të rritur dimensionin e turizmit historik. Ngjarje të shënuara historike, vende apo personalitete të historisë shqiptare do të jenë pjesë e paketës së asaj që ofron Shqipëria për vizitorët e huaj, deklaroi Klosi nga eventi mbajtur në Krujë në Ditën Botërore të Turizmit.
Ministri Klosi deklaroi se turizmi shqiptar do të kthehet në industrinë kryesore të ekonomisë së vendit, duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë edhe asaj që ka qenë një nga faktorët më frenues të rritjes së turizmit, cilësisë së mjedisit. “Të mbajmë pastër mjedisin sic mbajmë shtëpinë tonë, është motoja e aksionit mbarëkombëtar të pastrimit të territorit që do të shoqërohet edhe me penalitete për ndotësit”,- tha Klosi.
Ministri Klosi deklaroi se është e pafalshme që rruga drejt qytetit historik të Krujës është kthyer në vend grumbullimi të llojeve të ndryshme mbetjesh. Ai deklaroi se turizmi shqiptar do të shihet kryekëput në një tjetër qasje. Pavarësisht rritjes së shifrave të turizmit, ku 2017 shënoi 6 përqind më shumë vizitorë se një vit më parë, Klosi deklaroi se beteja me turizmin nuk do të jetë ajo e statistikave, por ajo e cilësisë së turistëve dhe parave të shpenzuara në Shqipëri.

