Ministri Malaj: Sigurimi i detyrueshëm i banesave nga shteti, projektligji do miratohet së shpejti në qeveri
Sigurimi i detyrueshëm i banesave do të ofrohet dhe do të administrohet nga vetë shteti. Projektligji përkatës pritet të miratohet së shpejti në Këshillin e Ministrave, bëri të ditur ministri Petrit Malaj, duke theksuar se pagesa e primit do të jetë e përballueshme për qytetarët shqiptarë.
Sipas ministrit, procesi i konsultimit ka përfunduar dhe projektligji është gati për t’u kaluar fillimisht në Këshillin e Ministrave e më pas në komisionet parlamentare. Ai sqaroi se familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike do të subvencionohen nga shteti. Malaj theksoi gjithashtu se sigurimi i pronave do të menaxhohet nga shteti përmes një shoqërie aksionare, ndërsa fatkeqësi të tjera natyrore nuk janë të përfshira në këtë ligj.
Ndërkohë, ministri bëri të ditur se procesi i rivlerësimit të pronave do të nisë në muajin shkurt. Ai tha se udhëzimet përkatëse pritet të miratohen brenda gjysmës së parë të muajit, çka do t’i hapë rrugë zbatimit të rivlerësimit.
Ligji për rivlerësimin e pronave ka hyrë në fuqi më 22 janar, ndërsa udhëzimet shoqëruese do të mundësojnë vijimin e procesit në terren. Për këtë rivlerësim propozohet që tatimi të jetë 5 për qind, nga 15 për qind që aplikohet aktualisht në rastet e shitjes së pronës. Tatimi do të llogaritet mbi diferencën mes vlerës së regjistruar në kadastër dhe vlerës reale të shitjes.
KOHA JONË SONDAZH

