Ministri Manja: Shqipëria nga nesër shtet nënshkrues i Konventës Lubjanë-Hagë

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja gjatë vizitës në Hagë u takua me dy personalitete të larta të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, presidentin e GJNP Piotr Hofmański dhe kancelarin e kësaj gjykate Osvaldo Zava Giler. Në një postim në rrjetet sociale, Manja tha se vendimet e GJNP në jo pak raste kanë ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve në vatra të caktuara të konflikteve ndërkombëtare dhe kanë sjellë paqe për njerëzimin.

“Fondi i besimit, i krijuar për të kompensuar viktimat e krimeve ndërkombëtare krahas ndëshkimit penal të autorëve të tyre, i jep kësaj gjykate dimensionin e bërjes së një drejtësie të plotë ndërkombëtare”, theksoi Manja.

Ministri Manja u shpreh se vizita në shtëpinë e drejtësisë në Hagë është përherë një mundësi reflektimi për një botë më të drejtë dhe pa konflikte.

“Vendi ynë si mbështetës i Statutit të Romës dhe akteve të tjera ndërkombëtare në lidhje me krimet e luftës, gjenocidit, iu bashkua që në fillim kësaj iniciative dhe nesër bëhet shtet nënshkrues i Konventës Lubjanë-Hagë”, tha Manja.

SHKARKO APP