Ministri Salla: Bashkëpunimi mes fermerëve rrit konkurrueshmërinë dhe ul kostot e prodhimit

Bashkëpunimi mes fermerëve përmes modeleve të kooperimit është një nga instrumentet kryesore për rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor, uljen e kostove të prodhimit dhe rritjen e të ardhurave të fermerëve. Ky ishte mesazhi i përcjellë gjatë takimit që zhvilloi me fermerët në Elbasan, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, me bashkëkryetarin e Reformës Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku dhe kryetarin e Bashkisë Elbasan Gledian Llatja, në kuadër të nismës për organizimin e fermerëve sipas produkteve prioritare në çdo bashki.

Salla tha se “përmes kësaj nisme mbështesim krijimin e Shoqatës së Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB) “Bulmeti i Elbasanit”, një model që bashkon 22 blegtorë për të rritur fuqinë e tyre në treg, për të organizuar grumbullimin e qumështit, për të prodhuar bulmet me standarde të larta dhe për të promovuar markën “Made in Albania””. Salla, nënvizoi se me mbështetjen e Bankës Botërore do të realizohet një investim i rëndësishëm për sektorin. “Me mbështetjen e Bankës Botërore këtu do të ndërtohet një qendër grumbullimi dhe përpunimi të produkteve bujqësore, e cila do t’u vijë në ndihmë fermerëve në grumbullimin dhe tregtimin e prodhimit”, deklaroi Salla.

Ministri shtoi se Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi i kushton një vëmendje të veçantë bashkëpunimit mes fermerëve. “Në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi, disa nga masat adresojnë mbështetje të konsiderueshme për grupimet e fermerëve, duke subvencionuar në masën 100% fermerët që bashkëpunojnë”, u shpreh ai. Kryetari i Bashkisë Elbasan Llatja e vlerësoi shumë të rëndësishëm bashkëpunimi mes fermerëve, pasi siç tha ai, “këto modele ndikojnë në uljen e kostove të prodhimit dhe rrit të ardhurat e tyre përmes kooperimit”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nga ana e saj, Mazniku vuri në dukje se kooperimi është një model i provuar me sukses në vendet e Bashkimit Evropian. “Kooperimi mes fermerëve është një nga modelet më të mira që ndjekin edhe vendet evropiane. Në këtë kontekst, fondet që Bashkimi Evropian adreson për bujqësinë dhe bashkëpunimi juaj përbëjnë një mundësi të mirë për tërheqjen e fondeve të BE-së”, tha Mazniku. Gjatë takimit u theksua se nxitja e bashkëpunimit mes fermerëve, investimet në infrastrukturën e grumbullimit dhe përpunimit, si dhe mbështetja përmes skemave kombëtare dhe fondeve të Bashkimit Evropian, do të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë shqiptare dhe në rritjen e të ardhurave të fermerëve.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?