Ministri Tahiri: Do të shkulim çdo rrënjë kanabis, në çdo cep të Shqipërisë

Qeveria Rama me ardhjen e verës dhe të sezonit të ri po planifikon një fushatë tjetër kundër lëndëve narkotike, për të mos lënë më asnjë rrënjë kanabis sativa të mbjellë, në çdo pjesë të territorit të Shqipërisë. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka paralajmëruar nisjen së shpejti të një operacioni të gjerë anti-kanabis në të gjithë vendin, në mënyrë që, sipas tij, “të mos ngelë më asnjë rrënjë kanabis e mbjellë në Shqipëri, as mbi e as nën tokë”.

Gjatë ceremonisë së sotme me 500 studentë të sapodiplomuar, Tahiri u kërkoi atyre të mos dekurajohen nga sulmet ndaj policisë. –“Merita, profesionalizmi dhe aftësia nuk do t’ju lënë ndonjëherë vetëm. Rruga është e vështirë, sepse krimi ka më shumë para se policia, ka më shumë mundësi të blejë miq në politikë, por nuk ka mundësinë të blejë ligjin. Ju jeni këtu të garantoni ligjin", tha ai.

Për ministrin Tahiri, 500 të sapodiplomuarit “janë mishërimi më i mirë i gjeneratës së re të Policisë së Shtetit”. Ai premtoi se mbështetja e qeverisë për Policinë e Shtetit do të vijojë me investime në infrastrukturë, bashkë me partnerët ndërkombëtarë, ndaj “2015-a do të konsiderohet si viti i reformimit teknologjik të policisë”.

Ndihmë të madhe në luftën anti-kanabis, sipas ministrit të Brendshëm, do të japë edhe Byroja Kombëtare e Hetimit. “Byroja Federale e Hetimeve në SHBA ka nisur punën për të ngritur Byronë Kombëtar të Hetimit, me rekrutimin e oficerëve të Policisë së Shtetit. Do të jetë viti i dytë që Shqipëria nuk do të jetë më vend origjine i trafikimi të lëndëve narkotike. Do të shkulim çdo rrënjë kanabisi në çdo cep të Shqipërisë”, shtoi Tahiri. Ai apeloi që “askush të mos i hyjë rrugës për mbjelljen e kanabisit”, pasi mbledhja e informacionit në të gjithë vendin ka filluar dhe një operacioni i gjerë do të nisë shumë shpejt. “Nuk kemi asnjë plan të tërhiqemi në këtë luftë”, theksoi Tahiri.

SHKARKO APP