Ministria e Brendshme: Nuk ka shanse për azil në zonën “Shengen”

Ministria e Brendshme ka lëshuar një apel të hapur kundrejt të gjithë qytetarëve, duke u kërkuar që të jenë vigjilent dhe të mos mashtrohen, pasi nuk ka shanse për azil në zonën “Shengen”. Ministria e Brendshme ka apeluar ndaj qytetarëve që “të distancohen nga persona që mashtrojnë, duke u ofruar azil në vendet e BE-së”.

"Përgjatë 72 orëve të fundit, Policia e Shtetit u ka refuzuar të drejtën e udhëtimit në zonën Shengen rreth 750 shtetasve shqiptarë në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, të cilët rezultuan në shkelje të procedurave për udhëtim në zonën Shengen.

Policia e Shtetit ka shtuar masat e kontrollit në pikat kufitare, me qëllim garantimin e lëvizjes së lirë të shtetasve dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

Ministria e Punëve të Brendshme fton edhe një herë qytetarët të respektojnë rregullat e lëvizjes në zonën Shengen, duke udhëtuar me dokumentacionin e rregullt dhe duke respektuar ditët e qëndrimit.

Rikujtojmë se është absolutisht e pamundur që shtetasit shqiptar, të fitojnë azil politik në vendet e BE-së", thuhet në njoftimin zyrtar.

SHKARKO APP