Ministria e Mbrojtjes diskuton dokumentin e Strategjisë Ushtarake

Sot në Ministrinë e Mbrojtjes u diskutua Strategjia Ushtarake e Republikës së Shqipërisë, dokumenti bazë i të gjithë punës dhe veprimtarisë së Forcave të Armatosura. Diskutimi i kësaj strategjie u bë në ambientetet e Ministrisë së Mbrojtjes ku ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, znj.Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo, zv.ministri i Mbrojtjes, z.Petro Koçi, kryetari i  i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë, z. Spartak Braho, si dhe deputetë të këtij Komisioni. Pas prezantimit të dokumentit të Strategjisë Ushtarake, deputetët drejtuan pyetje dhe kërkuan sqarime lidhur me çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me këtë dokument për të cilin po punohet prej dy vitesh.

Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, në nisje të këtij diskutimi theksoi se, dokumenti i Strategjisë Ushtarake është një nga më të rëndësishmit për veprimtarinë e Forcave të Armatosura, Ministrisë së Mbrojtjes dhe strukturave të tjera të shërbimeve të inteligjencës. Strategjia Ushtarake mbështetet në frymën e bashkëpunimit rajonal për një paqe e siguri të përbashkët. Krahas mbrojtjes së interesave dhe vlerave kombëtare, Strategjia Ushtarake  promovon gjithashtu edhe mbrojtjen e interesave dhe vlerave perëndimore të Aleancës Euroatlantike.

Prej vitit 2009, Shqipëria është anëtare e Aleancës Euroatlantike dhe po bën përpjekje të qenësishme për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në këtë kontekst, Strategjia e re Ushtarake harmonizon rolin, misionin, përgjegjësitë dhe kapacitetet e FARSH me realitetin e ri të sigurisë dhe mbrojtjes kolektive. Strategjia Ushtarake është hartuar duke balancuar të gjithë faktorët e saj. Ajo sjell në emërues të përbashkët pritjet e mjedisit dinamik të sigurisë, me objektivat dhe rolin e FARSH në këtë mjedis, si dhe burimet në dispozicion të mbrojtjes në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.  

SHKARKO APP