Ministria e Mbrojtjes për situatën e zjarreve: 33 vatra në 24 orë, 8 mbeten aktive. Në terren 535 forca operacionale
33 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 8 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe 5 të tjera janë nën monitorim.
Për menaxhimin e situatës janë angazhuar 535 forca operacionale dhe 51 automjete zjarrfikëse. Në operacione janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura me 100 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Aktualisht në terren ndodhen 120 forca ushtarake, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor, njofton Ministria e Mbrojtjes.
Në Malin e Dajtit në Tiranë vijon ndërhyrja e forcave zjarrfikëse dhe ushtarake. Në terren janë 15 efektivë të MZSH-së, 10 forca të ADZM-së dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy helikopterë. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, vatrat në Priskë dhe Vakumone janë vënë nën kontroll dhe po monitorohen.
Në Gurë-Lurë të Dibrës vijon një operacion i gjerë për izolimin e zjarrit. Në terren janë angazhuar 115 forca bashkiake, 13 efektivë policie, 11 forca të ADZM-së, 14 zjarrfikës, 7 vullnetarë dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Operacioni mbështetet edhe nga dy avionë Air Tractor.
Sipas autoriteteve, korridoret e hapura në terren kanë ndihmuar në pengimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara. Aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Qafë Helmës dhe Bruç, puna vijon në terren të vështirë. Zjarri në Qafë Helmës është shuar nga krahu i Bulqizës, ndërsa një vatër mbetet aktive në drejtim të Selishtës. Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Lufaj të Mirditës, forcat operacionale po vijojnë ndërhyrjen pas hapjes së korridoreve ndarëse. Operacioni po mbështetet edhe nga një helikopter i Forcës Ajrore.
Në Fushë-Lajë të Pukës janë angazhuar 10 efektivë zjarrfikës, 16 forca bashkiake dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura. Zjarri nuk paraqet intensitet të lartë dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Rrjoll, situata po monitorohet nga afër edhe përmes dronëve. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Autoritetet bëjnë me dije se situata po ndiqet në mënyrë të vazhdueshme nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, ndërsa strukturat qendrore dhe vendore po koordinojnë ndërhyrjet tokësore dhe ajrore në zonat ku zjarret vijojnë të jenë aktive.
KOHA JONË SONDAZH

