Ministria e Shëndetësisë: E vërteta për Fondit Rezervë të sigurimeve shëndetësore
Ministria e Shëndetësisë ka reaguar sot lidhur me raportimit në media për marrjen e një vendimi nga qeveria për të përdorur fondin rezervë të sigurimeve shëndetësore.
Sqarimi i ministrisë:
Lidhur me raportimet e sipërcituara, sqarojmë se qeveria nuk ka miratuar asnjë vendim për të kërkuar borxh për sigurimin e parave përmes fondit rezervë të sigurimeve shëndetësore, apo aq më tepër, të ketë marrë një vendim të tillë si pasojë e krizës financiare.
Baza ligjore* dhe statuti i FSDKSH-së përcaktojnë qartë mënyrën e përdorimit të fondit rezervë, i cili është një fond emergjence që përdoret për mbulimin e lëvizjeve të përkohshme dhe deficiteve operative në sigurimin e detyrueshëm shëndetësor. Ky fond përbëhet nga tepricat e akumulueshme të të ardhurave ndaj shpenzimeve dhe nuk duhet të kalojë 10% të shpenzimeve vjetore të FSDKSH-së.
Gjatë dy viteve të fundit, investimi i fondit rezervë është aplikuar deri në masën 50% në instrumentet e politikës monetare, duke sjellë rritje të të ardhurave dytësore të FSDKSH-së në shumën 43.7 milionë lekë për vitin e parë (2015) dhe 44.4 milionë lekë, që pritet të përfitohen në vitin 2016.
Por, gjysma tjetër e fondit rezervë ka mbetur e pashfrytëzuar, ndërkohë që mund të sigurohej nga investimi i saj dyfishi i të ardhurave dytësore të siguruara nga këto investime. Tashmë, situata e mirë financiare ka sjellë plotësimin e fondit rezervë për të mbuluar 10% të shpenzimeve të skemës dhe krijimin e mundësive më të mëdha për investime financiare.
Nisur nga kjo situatë monetare, ndryshimi i fundit i miratuar në statut lidhet me mundësimin e investimit deri në 100% të fondit rezervë i cili do t’i sjellë më shumë të ardhura dytësore FSDKSH-së përmes investimit.
* Rregullat për krijimin dhe përdorimin e fondit rezervë për sigurimet shëndetësore janë të përcaktuara në Ligjin nr. 10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, Vendimi e Këshillit të Ministrave nr. 124, datë 5.03.2014 “Për miratimin e statutit të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, në Vendimin e Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor nr. 85, datë 09.07.2014, “Për krijimin dhe përdorimin e Fondit Rezervë dhe gjendjes së likuiditeteve të lira të Fondit”, si edhe në VKA nr. 121, datë 17.12.2014 “Për miratimin e Rregullores Financiare të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”.
KOHA JONË SONDAZH

