Ministria e Shëndetësisë, riorganizimi i Qendrës Shëndetësore Nr.10 në Tiranë nuk prek shërbimin për qytetarët

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale sqaron se riorganizimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare, ish-Qendra Shëndetësore Nr. 10 në Tiranë, nuk sjell largim të mjekëve specialistë nga qytetarët dhe nuk redukton shërbimet e ofruara.
Sipas MSHMS-së, qendra vijon funksionimin edhe në bazë të marrëveshjes me Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, duke shërbyer si bazë për formimin praktik të mjekëve specializantë në Mjekësi Familjare.
Ky riorganizim mbështetet në parimet e kujdesit shëndetësor parësor, sipas të cilave mjeku i familjes është pika e parë e kontaktit të qytetarit me sistemin shëndetësor, ndërsa shërbimet specialistike organizohen në struktura të dedikuara.
“Në këtë kuadër, mjekët specialistë do të vijojnë të ofrojnë shërbim në të njëjtat ambiente dhe për të njëjtën popullatë, ndërsa administrativisht do të kalojnë në varësi të Qendrës Shëndetësore të Specialiteteve Nr. 1 në Tiranë”, thuhet në njoftim.
Sipas MSHMS-së, për qytetarët nuk ndryshon as mjeku dhe as vendi ku merret shërbimi. Ndryshimi prek vetëm organizimin administrativ dhe synon forcimin e mjekësisë familjare, si edhe rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor.
KOHA JONË SONDAZH

