Ministrja Balluku: Ndërtimi i tunelit Dukat-Palasë në projektet kryesore të qeverisë

Aksi rrugor që kalon përmes Qafës së Llogarasë i është rregulluar duke lehtësuar në këtë mënyrë qarkullimin e automjeteve, veçanërisht gjatë sezonit të dimrit.

Punimet për hedhjen e shtresës asfaltike kanë përfunduar dhe nuk do të ketë më kufizim për qarkullimin e automjeteve, ndërsa puna do të vijojë me vendosjen e sinjalistikës horizontale dhe vertikale.

Ndërhyrja në këtë segment u bë në kuadër të kontratës së performancës me Bankën Botërore, ndërsa projekti parashikon edhe një fazë të tretë punimesh, që shtrihet deri në zonën e Qafë Gjashtës në Sarandë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho inspektuan punimet e bëra në këtë segment rrugor.

Kreu i ARRSH bëri të ditur se punimet për rehabilitimin e këtij segmenti kanë nisur në muajin maj të këtij viti ku u bë e mundur ndërtimi i bordurave anësore, ndërkohë që punimet u ndërprenë në fund të muajit qershor për të mos penguar qarkullimin përgjatë sezonit turistik.

Punimet kanë filluar në maj, që ka qenë faza e rehabilitimeve të thella të segmentit të Llogorasë. Janë bërë bordurat anësore deri më 30 qershor. Asfalti këtu është “miks design” për kushtet atmosferike të motit, i cili i reziston ngricave dhe borës. Vijojmë me fazën e tretë, me punime të thella deri në Qafë Gjashtë të Sarandës, si dhe në përfundimin me sinjalistikë horizontale dhe vertikale dhe sigurinë rrugore”, bëri të ditur Verdho.

Ministrja Balluku theksoi se rritja e sigurisë rrugore është objektivi i realizimit të këtyre ndërhyrjeve teksa njoftoi se në kuadër të kontratës së performancës me Bankën Botërore do të ndërhyhet edhe për rehabilitimin e disa akseve të tjera rrugore në vend.“

“Kjo është një rrugë tjetër, të cilën ne e dorëzojmë në kuadër të kontratës së performancës me Bankën Botërore. Do të vazhdojmë me rrugë të tjera, ashtu siç kemi premtuar dhe me Shijakun dhe me pjesë të tjera, të cilat do t’i identifikojmë. Duke kërkuar edhe bashkëpunimin e Bankës Botërore do të vazhdojmë të kryejmë punime në akse kryesore, të cilat janë rrugë nacionale dhe jo autostrada për të rritur sigurinë rrugore”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se ndërtimi tunelit Dukat- Palasë është plani madhor, që qeveria ka për këtë zonë, si pjesë të strategjisë për zhvillimin e turizmit, me qëllim që të aksesohet më shpejtë bregdeti i jugut.

Krahas ndërhyrjes në aksin e Qafës së Llogarasë, ndërhyrje rehabilituese janë realizuar edhe në segmentin rrugor të Qafë Thanës, ku është bërë e mundur riveshja me asfalt abraziv në pesë kthesat në këtë segment. Këto ndërhyrje bëjnë të mundur lehtësimin e qarkullimit gjatë sezonit të dimrit.

SHKARKO APP