Ministrja e Bujqësisë: Në maj eksportet u rritën me 24.6 %

Eksportet e produkteve bujqësore i janë rikthyer rritjes së fortë dyshifrore për të tretin muaj radhazi në maj, duke bërë që i gjithë pesëmujori të qëndrojë me tendencë pozitivë. Statistikat zyrtare konfirmojnë trendin në rritje të qëndrueshme të këtij sektori, që ka nisur prej fillimit të këtij viti.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca iu referua raportit të Tregtisë së Jashtme, të publikuar nga INSTAT gjatë kësaj jave, sipas të cilit, “eksportet e produkteve bujqësore për muajin Maj 2023 dhe periudhën Janar-Maj 2023 (5M 2023) shënojnë rritje dominante në grupmallrat “Ushqim, pije, duhan”.

Për 5 mujorin, ky grup është zgjeruar me 15% për shkak të ecurisë së mirë që shënoi që prej fillimit të vitit.

Sipas statistikave gjatë 5-Mujorit (Janar-Maj 2023) eksportet e grupmallrave “Ushqim, pije, duhan” shënuan rritje në sasi dhe vlerë respektivisht me +11.3% në sasi (nga 145.5 mijë ton në 5M 2022, në 162 mijë ton në 5M 2023) dhe rritje +15.3% në vlerë (nga 20.32 mld lekë në 5M 2022, në 23.44 mld lekë në 5M 2023).

Në maj sektori i bujqësisë iu rikthye rritjes së shpejtë të eksporteve, që u zgjeruan me 24.6%.

INSTAT bën të ditur se, gjatë muajit Maj 2023 eksportet e grupmallrave “Ushqim, pije, duhan” shënuan rritje respektivisht me +26.5% në sasi (nga 41.6 mijë ton në Maj 2022, në 52.6 mijë ton në Maj 2023) dhe +24.6% në vlerë (nga 5.24 mld lekë në Maj 2022, në 6.53 mld lekë në Maj 2023).

Ministrja Krifca theksoi se, rritjen e eksporteve e ka mundësuar zgjerimi i prodhimit bujqësor vendas falë përpjekjes dhe punës së palodhshme të fermerëve, por edhe falë mbështetjes së qeverisë.

Politikat e duhura kanë mbështetur zinxhirin prodhues-grumbullues e standardizues të produkteve që ka forcuar pozicionin “made in Albania” në tregjet e eksportit, duke na sjell më afër me përmbushjen e objektivit prej 1 miliard dollarë eksporte bujqësore brenda vitit 2030”, u shpreh ministrja, teksa vuri në dukje, se sot eksportet bujqësore shqiptare, shkojnë në 78 shtete të botës.

SHKARKO APP