Ministrja e Financave: Deri në fund të mandatit paga minimale shkon në 45 mijë lekë
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj në mbledhjen e zhvilluar në komisionin e ligjeve ka folur për rritjen e pagave për administratën publike.
Sipas saj deri në fund të mandatit të tyre paga minimale do të arrijë në 45 mijë lekë.
“Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit ekonomik për integrimin në BE. Po bëjmë realitet një rritje pagash që më parë ishte e paimagjinueshme,. Paga do të shkojë në 900 euro përmes dy hapave, ka nisur hapi i parë në prill dhe pritet që rritja tjetër të bëhet në prill të vitit 2024. Gjithashtu është rritur paga minimale që deri në fund të mandatit tonë pritet që të shkojë në 45 mijë lekë. Një vendim i tillë do të sigurojë më shumë të ardhura për qytetarët, ky vendim është një vendim që është marrë pas studimit të nivelit që kishim me vendet e rajonit, dhe me rritjen e bërë është bërë krahasimi me disa vende të BE-së. Me përcaktimin e pagës së presidentit si pagën më të lartë janë lidhur disa funksione dhe duke e shkëputur nga administrata ligjore”, ka thënë Ibrahimaj.