Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili: Kontrollet në zinxhirin ushqimor, prezantohet projektligji i ri
Në Kuvend u prezantua sot projektligji “Për kontrollet zyrtare dhe aktivitete të tjera zyrtare, të kryera për të garantuar zbatimin e legjislacionit për ushqimin dhe ushqimin për kafshë, rregullimet për shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, si dhe për shëndetin e bimëve e produkteve për mbrojtjen e bimëve në Republikën e Shqipërisë”.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili prezantoi projektligjin, duke theksuar se qëllimi i tij është harmonizimi i kuadrit ligjor vendas me atë të Bashkimit Evropian në fushën e kontrolleve për sigurinë ushqimore, shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, si dhe shëndetin e bimëve, duke marrë në konsideratë standardet ndërkombëtare.
Sipas Ismailit, përafrimi i legjislacionit synon garantimin e një niveli të lartë të sigurisë ushqimore dhe shëndetit të bimëve e kafshëve, përmes masave të qëndrueshme nga ferma në tavolinë dhe forcimit të sistemeve efektive të kontrollit për verifikimin e përputhshmërisë me standardet e BE-së, duke ruajtur funksionimin e tregut të brendshëm.
“Projektligji synon gjithashtu sigurimin e zbatimit të standardeve të sigurisë ushqimore, shëndetit të kafshëve dhe bimëve përmes kontrolleve zyrtare dhe masave të tjera mbikëqyrëse, krijimin e një sistemi funksional dhe efektiv të kontrolleve zyrtare për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, si dhe garantimin e praktikave të drejta tregtare”, tha Ismaili.
“Ndër objektivat kryesore përfshihen transparenca me publikun dhe shkëmbimi i informacionit për rritjen e efektivitetit të kontrolleve, parandalimi dhe menaxhimi i rreziqeve që lidhen me ushqimin për kafshë dhe produktet e modifikuara gjenetikisht apo substanca të tjera të rrezikshme, si dhe rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë ushqimore dhe shëndetit të kafshëve e bimëve”, vijoi ajo.
Nevoja për hartimin e këtij projektligji, sipas ministres Ismaili, vjen si rezultat i domosdoshmërisë për rregullimin e kuadrit ligjor në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian për kontrollet zyrtare, në kuadër të procesit të përafrimit me rregulloret evropiane.
Ky projektligj, theksoi Ismaili, përbën një angazhim të ndërmarrë në kuadër të dokumentit të pozicionit negociues për kapitullin 5 “Burimet, bujqësia dhe kohezioni”.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

