Ministrja Ibrahimaj mbledh përfaqësuesit e industrisë bankare dhe sektorit të parave elektronike 

Në ndihmë të modernizimit dhe rritjes së aksesit në financë, Ministër e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, mblodhi sot në një tryezë përfaqësuesit kryesorë të industrisë bankare dhe sektorit të parave elektronike që do të angazhohen në zbatimin e projektit pilot të pagesave të shpejta elektronike në vend. Takimi u zhvillua për të adresuar zgjidhjet që do të aplikohen në zbatimin e projektit pilot në tre bashkitë e përzgjedhura: atë të Tiranës, Përmetit dhe Dibrës.

Qëllimi kryesor i këtij projekti është të reduktojë kostot e transaksioneve dixhitale, të përmirësojë përvojën e klientëve në shërbimet financiare dhe të promovojë konkurrencën në sektorin financiar, duke përparuar në të njëjtën kohë inovacionin në këtë fushë. Në këtë kontekst, një prej teknologjive të përdorura për pagesat elektronike është kodi QR, i cili do të sjellë më shumë efikasitet dhe siguri në transaksionet financiare.

Zbatimi i projektit pilot të pagesave të shpejta elektronike do të realizohet nëpërmjet aplikacioneve inovative fintech dhe openbanking, duke përmirësuar kështu edhe më tej infrastrukturën dhe aksesin në financa. Janë 300 qytetarët që do të përfitojnë nga zbatimi i projektit pilot të pagesave elektronike në tre qytetet e përcaktuara.

Përzgjedhja e përfituesve që do të përfshihen në këtë projekt pilot do të kryhet në mënyrë rastësore dhe transparente, dhe do të jetë e tillë që të garantojë përbërje të drejtë midis moshës që përfshin përkatësisht përfitues nga grupmoshat 18-30 vjeç, 30-40 vjeç, 40-50 vjeç, 50-60 vjeç si dhe 60-70 vjeç dhe gjinisë së tyre, që banojnë brenda një hapësire gjeografike të afërt brenda territorit të bashkisë Tiranë, Dibër dhe Përmet.

Çdo përfitues do të marrë një shpërblim prej 10,000 lekësh në muaj për shpenzimet e tyre personale, me të cilën do të bëjë blerjet nëpërmjet sistemit të pagesave elektronike.
Zbatimi i projektit pilot për pagesat e shpejta elektronike do të shtrihet në harkun kohor të 4 muajve. Konkretisht, vlera monetare e përcaktuar për çdo qytetar që do të jetë pjesë e këtij projekti pilot do të disbursohet në formën e një transferte bankare, brenda datës 10 të çdo muaji, në periudhën kohore nga muaji Maj deri në Gusht të 2024-ës.

Përfituesit duhet të nënshkruajnë deklaratën për pjesëmarrjen në këtë projekt sipas kushteve të përcaktuara nga autoritetet relevante. Ministrja Ibrahimaj ka bërë thirrje për pjesëmarrjen aktive dhe bashkëpunimin e plotë të institucioneve financiare për suksesin e këtij projekti, duke shprehur bindjen për ndryshimet pozitive që do të sjellë në kulturën e pagesave elektronike në Shqipëri.

SHKARKO APP