Ministrja Ibrahimaj: “Pasqyra Albania”, monitorim i çmimeve dhe analizë e zinxhirit për të identifikuar rritjet
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se platforma “Pasqyra Albania” do t’u mundësojë qytetarëve të krahasojnë çmimet dhe të gjejnë ku produktet shiten më lirë, ndërsa shtetit do t’i shërbejë për të analizuar formimin e çmimeve përgjatë gjithë zinxhirit të vlerës.
“Qytetarit i intereson të dijë sa është çmimi dhe ku çmimi është më i lirë”, tha Ibrahimaj. Platforma do të nisë në shtator me monitorimin e rreth 10 produkteve bazë, përfshirë orizin, makaronat, vajin, sheqerin, patatet, domatet, qepët dhe detergjentët. Subjektet do të kenë detyrim të raportojnë çmimet, sipas rregullave që do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Sipas ministres, qëllimi nuk është përcaktimi i çmimeve nga shteti, por identifikimi i hallkave ku krijohen rritje të pajustifikuara. “Ne nuk mund ta themi sot se çfarë ndërhyrjeje do të bëjmë”, u shpreh ajo, duke theksuar se masat do të përcaktohen pas analizimit të të dhënave.
Si shembull, Ibrahimaj përmendi domaten, ku një fermer në Lushnjë e shiste me 50 lekë, ndërsa në Tiranë çmimi arrinte në 120 lekë. “Na duhet të kuptojmë se cila është hallka që çon në këtë shumëfishim të çmimit”, tha ajo. Brenda dhjetorit synohet krijimi i një mekanizmi të plotë monitorimi, nga prodhuesit dhe importuesit deri te tregtarët dhe konsumatori, duke përdorur edhe të dhënat e sistemit të fiskalizimit.
KOHA JONË SONDAZH

