Ministrja Manastirliu: 40 qendra shëndetësore rehabilitohen këtë vit! Pilotohet paketa e shërbimit në banesë

Një tjetër qendër e re shëndetësore është rehabilituar në qarkun e Tiranës. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bashkë me deputetin Xhemal Qefalia kanë parë nga afër Qendrën e re Shëndetësore Zall-Bastar, pjesë e programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore në vend.

Në 30 vite nuk ishte vënë dorë. Qendra shëndetësore e Zall-Bastarit që i shërben më shumë se 5 mijë banorëve të kësaj zone, tashmë është në kushte bashkëkohore. Ne vijojmë të shtojmë shërbimet në qendrat tona shëndetësore. Kujdesi në banesë është një tjetër paketë e kujdesit shëndetësor shumë e rëndësishme që po përfshihet në qendrat tona. Dhe nga ana tjetër, ne do të vijojmë që të përmirësojmë shërbimet, duke përfshirë dhe shërbimet socio-shëndetësore, duke futur shërbimin psiko-social si pjesë të kujdesit shëndetësor”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh se ka filluar faza e dytë e programit të rehabilitimit dhe përmirësimit të infrastrukturës së qendrave shëndëtësore, duke shtuar se synohet që brenda katër viteve të finalizohet përmirësimi i të gjithë kujdesit parësor kudo në Shqipëri.

Duke filluar nga ky vit hyjmë në fazën e dytë të programit të rehabilitimit, të përmirësimit të infrastrukturës të qendrave shëndetësore. Janë 40 qendra shëndetësore dhe ambulanca, të cilat kanë filluar tashmë rehabilitimin. Qarku i Tiranës ka 6 ambulanca, të cilat do të rehabilitohen në kuadër të këtij programi. Dhe ne synojmë që në këto katër vite, të finalizojmë rehabilitimin dhe përmirësimin e infrastrukturës në të gjithë kujdesin parësor kudo në Shqipëri, qoftë në zona urbane, qoftë në zona rurale”, tha Manastirliu.

SHKARKO APP