Minorenia padit njerkun për ngacmim seksual, 43-vjeçari: Gënjen
Një 43-vjeçar u la dje në masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 20ditor nga Gjykata e Tiranës, pasi akuzohet për “vepra të turpshme”.
Sipas Prokurorisë, Artan Rrapushi dyshohet se ka konsumuar këtë vepër në dëm të një 13vjeçareje, e cila është vajza e bashkëjetueses së tij.
Akuza u mohua me forcë nga vetë i arrestuari, i cili tha se faktet e pretenduara në kallëzimin ndaj tij ishin të gjitha të rreme.
Gjykata e la të dyshuarin në një masë sigurimi shtrënguese me afat, kohë gjatë së cilës Prokuroria duhet të paraqesë disa aktekspertime mjekoligjore që do t’u nënshtrohet kallëzuesja e mitur, transmeton Panorama.
Përfaqësuesja e Prokurorisë në sallën e gjyqit tha para gjykatës se 43vjeçari ishte kallëzuar nga e mitura në Komisariatin e Policisë nr.3, në Tiranë. Në praninë e një psikologeje, e mitura ka pohuar se njerku i saj i ka kërkuar marrëdhënie seksuale.
Minorenia ka rrëfyer një episod ku, sipas saj, 43vjeçari e ka tërhequr zvarrë në rrugë, i ka kërkuar marrëdhënie, si edhe e ka prekur në vende intime. Në kallëzimin e depozituar prej saj, minorenia ka pretenduar se veprime të tilla nga i dyshuari janë konsumuar edhe në raste të tjera.
Pretendimet e Prokurorisë u kundërshtuan nga i dyshuari Rrapushi. Duke folur me ton të lartë dhe nerv nga kafazi i sallës së gjyqit, ai mohoi gjithçka dëgjoi në kërkesën e Prokurorisë.
“Kam plot 11 vjet që bashkëjetoj me gruan time. Kur kam nisur të bashkëjetoj me të, e ka pasur vajzën e vogël një apo dy vjeçe. Unë e kam rritur atë. Dëshmia që lexoi prokurorja është e gjitha e rreme.
Vajza ka tre muaj që nuk jeton më në shtëpi. Ajo jeton me tezen e saj dhe tezja e ka çuar të bëjë këtë kallëzim. Tezja e saj e ka nxjerrë në rrugë dhe e ka vënë të kërkojë kanoçe nëpër koshat e plehrave. Për këtë unë kam debatuar me të, se nuk dua që goca të kërkojë kanoçe në kosha plehrash. Unë e pranoj që kam debatuar me të. Një ditë e kam parë në Laprakë vajzën te plehrat dhe kam thënë që mos ma nxirr. I kam bërtitur disa herë edhe më parë, por nuk kam bërë asnjë gjë nga ato që thotë prokurorja”, deklaroi për gjykatën 43vjeçari.
I dyshuari për “vepra të turpshme” ndaj vajzës së mitur të bashkëjetueses së tij, u arrestua në 2 gusht të këtij viti.
KOHA JONË SONDAZH

