
Analisti Skënder Minxhozi ka bërë një dallim mes protestave të studentëve në Serbi dhe në Tiranë, duke vënë në pikëpyetje organizimin, pjesëmarrjen dhe objektivat e protestuesve në kryeqytetin shqiptar. “Studentët patën projekt politik dhe e sfiduan Aleksandër Vuçiç, teksa sheshet mbusheshin plot prej tyre”, u shpreh analisti, duke e cilësuar ndryshe situatën në kryeqytetin shqiptar. Minxhozi e përshkroi protestën në Tiranë si një “tallava sheshi”, duke argumentuar se mungon identifikimi i qartë i organizatorëve dhe përcaktimi konkret i asaj që kërkohet nga kjo lëvizje.
Një tjetër element që e bën të ndryshëm realitetin në dy vendet është konteksti politik. Analisti e cilësoi si një përkim rastësor faktin që zgjedhjet në Serbi zhvillohen në një klimë protestash, ndërsa kundërshtitë politike në Shqipëri shoqërohen me pritshmëri për një skenar të ngjashëm me atë serb. “Opozita sheh mirazhe, meqë iku Vuçiç në këtë formë, të ikë dhe Edi Rama”, deklaroi Minxhozi në ”Abc News”, duke kundërshtuar idenë se zhvillimet në Serbi mund të përsëriten automatikisht në Shqipëri.
Ai vuri në diskutim edhe numrin e pjesëmarrësve në protestat e Tiranës, duke e krahasuar atë me numrin e studentëve dhe gjimnazistëve në vend, si dhe me popullsinë e kryeqytetit. “Janë 100 mijë studentë dhe gjimnazistë të regjistruar. Ku janë? Kemi një qytet që është 600 mijë banorë?”, pyeti analisti, duke vënë në dyshim pretendimet për një mobilizim të gjerë qytetar.
Në përfundim, Minxhozi theksoi se, sipas tij, mungesa e një projekti politik të artikuluar dhe pjesëmarrja që ai e konsideron të kufizuar e bëjnë të pavend krahasimin mes protestave në Serbi dhe atyre në Tiranë. “Pse duhet të shpallësh si opozitë protestë kombëtare, nuk bëjnë as 3 ose 4 mijë vetë. Ku është paralelizmi këtu?”, përfundoi ai.
