Miratohet ligji që ndalon fëmijët deri 16 vjeç të përdorin rrjetet sociale. Gjobë deri 50 milionë dollarë TikTok, Facebook, X dhe Instagram…
Dhoma e Përfaqësuesve në Australi miratoi të mërkurën një projektligj që do të ndalonte fëmijët deri në moshën 16 vjeçare të përdorin rrjetet sociale. Tani, finalizimi i këtij ligji, të paprecedentë në botë, është në dorën e Senatit të Australisë.
Partitë kryesore mbështetën projektligjin që parasheh gjoba deri në 50 milionë dollarë australianë për platformat si TikTok, Facebook, Snapchat, Reddit, X dhe Instagram, për dështime sistematike në parandalimin e hapjes së llogarive nga fëmijët.
Ligji u miratua me 102 vota pro dhe 13 kundër. Nëse projektligji bëhet ligj këtë javë, platformat do të kenë një vit kohë për t’i zbatuar kufizimet e moshës përpara se të fillojnë ndëshkimet.