Miratohet në parim Projektligji për “Shërbimin e Provës”

Është miratuar në parim, Projektligji për Shërbimin e Provës. Në seancën e sotme në Komision e Sigurisë Kombëtare ishin të ftuar, Zëvendësministri i Drejtësisë, z. Idlir Peçi, drejtor i shërbimit të provës, z. Ilir Qafa, Drejtor i Inspektimit të Shërbimeve Komunitare,z. Engjëll Hysi dhe Drejtore e Ndërtimit të Legjislacionit, znj. Katerina Treska.

Në fjalën e tij, z.Peçi theksoi se momentalisht shërbimi i provës po shërbehet si një rregullator por që kërkohet të kthehet në ligj. Funksionon me një Vendim të Këshillit të Ministrave dhe rregullohet me ligj, dhe sipas rekomandimeve nga Këshilli i Ministrave të Europës. Shërbimi i provës ka sjell një praktikë, e sipas Zëvendësministrit të Drejtësisë janë shqyrtuar rreth 20 mijë raste. Ky ligj nuk do të ketë kosto financiare.

Nga ana tjetër, Zv/ministri Peçi shtoi se me këtë ligj është konsoliduar shërbimi i provës në disa aspekte. “Shërbimi i provës bëhet më efektiv duke qenë se ka një akses më fleksibël në gjykatë. Kemi një rregullim të mirë, për sa i përket drejtësisë restauruese dhe rehabilituese, si dhe kemi një bashkëpunim për të patur një impakt në marrëdhëniet e të dënuarin  me viktimën dhe palët”, – tha Peçi. Ky ligj ka si qëllim rehabilitimin shoqëror të shkelësve të ligjit, uljen e rrezikut të përsëritjes së veprave penale dhe rritjen e sigurisë shoqërore, si dhe uljen e kostove sociale të dënimeve penale dhe ruajtjen e sigurisë shoqërore.

Deputeti Demokrat, Asllan Dogjani, u shpreh që ta kalonin në parim dhe të merrnin kohën e duhur për ta shqyrtuar me detaje. Në pyetjen e tij drejtuar grupit të ardhur nga Ministria, ishte se sa efekt pozitiv ka pasur Shërbimi i Provës? Përgjigjja nga Ministria e Drejtësisë është se vetëm 0.98 % të raste janë kthyer përsëri në botën e krimit, dhe këto janë për vepra të tilla si: Vjedhja, armëmbajtja pa leje, etj. Ndërsa për sa i përket të miturve, pyetur nga deputeti Dogjani, z.Peçi ka thënë se janë mbi 200 fëmijë që janë të mbikëqyrur.

Deputeti Socialist Pjerin Ndreu, ka ngritur çështjen e ri-integrimit dhe ka shtruar pyetjen se çfarë detyrimi kanë institucionet? Drejtori i Shërbimit të provës, z.Ilir Qafa, ka shtuar se: Shërbimi Kombëtar i Punësimit është pjesë e përbashkët e cila ofron shërbim për këtë kategori dhe ata marrin trajtime të ndryshme profesionale. Është dhe pushteti vendor dhe i të gjitha drejtorive të formimit profesional, por që ka ende shumë punë për tu bërë.

Çfarë qëllimi dhe misioni ka Shërbimi i provës?

Misioni ynë parësor është mbrojtja e komunitetit dhe parandalimi i recidivizmit (përsëritjes së veprës penale), asistimi dhe konsultimi për riintegrimin dhe risocializimin me sukses në komunitet të shkelësve të ligjit duke ndihmuar, nëpërmjet metodave dhe instrumenteve më bashkëkohore, në kapërcimin e vështirësive për ri-integrimin shoqëror dhe sjelljen e ndryshimeve pozitive në jetën e tyre.

SHKARKO APP