Miratohet projektligji, për ratifikimin e protokollit të Konventës Europiane

 

Në një seance të gjatë, të zhvilluar ditën e sotme, grupi i krijuar në parlament për Komisionin e Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për ratifikimin e protokollit nr. 15, të Konventës Europiane, për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”. Është njoftuar dhe në portalin e kuvendit se në rend të ditës është shqyrtimi i projektligjit.

Gjatë mbledhjes nuk ka patur kundërshtime sepse deputetët e votuan projektligjin në tërësi, duke ia kaluar për shqyrtim seancës plenare.

Në këtë mbledhje të komisionit ka qenë prezente e pjesë diskutuese për marrëveshjen dhe Drejtoresha e kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, znj.Ketrin Treska.

Në fjalën e saj, znj. Treska, bëri një parashtrim të projektligjit duke shtuar se: “Ratifikimi i protokollit nr 15, të konventës Europiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, ka për qëllim zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve Anëtare të Këshillit të Europës, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Gjithashtu ky protokoll shërben edhe për mbështetjen nga ana e autoriteteve shqiptare të konventës evropiane të të drejtave të njeriut, si edhe për lehtësimin e  mundësisë së qytetarëve në ushtrimin të drejtave dhe interesave të tyre në mënyrë sa më efikase”.

Relatorja e projektligjit, znj. Anlia Agalliu, theksoi në fjalën e saj se, ratifikimi i kësaj konvente do të thellojë bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Europës. “Ratifikimi i protokollit numër 15, i cili i amendon konventën europiane për të drejtat e njeriut, propozohet në kuadër të përmirësimit të mëtejshëm të legjislacionit në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të njeriut si edhe për të konfirmuar se Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, mund të vazhdojë të luaj rolin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Europë. Ratifikimi i protokollit nr 15 të Konventës Europiane për Mbrojtjen të Drejtave të Njeriut dhe Lirive themelore, do të thellojë bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Këshillin e Europës, si edhe palëve të tjera kontraktuese në fushën e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe njëkohësisht do t’i shërbej qëllimeve të drejtësisë për gëzimin nga shtetasit për një mbrojtjen më të mirë ligjore”,- theksoi znj. Agalli për të mirat që do ti sjellë ky projektligj, nëse nuk gjen kundërshtime në parlament, vendit tonë.

R.Shtylla

SHKARKO APP