Misionet e NATO-s në Letoni, mesazhe ngushëllimi për nëntetare Zarife Hasanaj
Vendet kontribuese të grupbatalionit të NATO-s në Letoni kanë dërguar mesazhe ngushëllimi për nëntetare Zarife Hasanaj, e cila humbi jetën pas incidentit tragjik në krye të detyrës më 6 maj.
“Ngushëllimet më të sinqerta për aleatët tanë shqiptarë pas incidentit tragjik të 6 majit”, thuhet në mesazhin e Ambasadës së Kanadasë në Letoni.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka po ashtu ka marrë mesazhe nga vendet anëtare kontribuese në grupbatalionin e NATO-s në Letoni.
“FA shqiptare kanë shërbyer në mënyrë të shkëlqyer në mbrojtjen kolektive të Aleancës”; “Shërbimi dhe sakrifica e përkushtuar e nëntetare Hasanajt nuk do të harrohen”; “Urojmë shërim të shpejtë për major Tanushin dhe rreshter Kapajn”, thuhet në disa prej këtyre mesazheve.
Grupbatalioni i NATO-s në Letoni, për bëhet nga 9 vende dhe drejtohet nga Kanadaja.
Pjesë e grupbatalionit të NATO-s janë Shqipëria, Republika Çeke, Italia, Mali i Zi, Polonia, Sllovakia, Sllovenia dhe Spanja.
Zv.sekretarja e Përgjithshme e Aleancës, Rose Gottemoeller i ka dërguar mesazh ngushëllimi ambasadorit shqiptar në NATO. Ministrja Xhaçka ka marrë mesazh ngushëllimi edhe nga homologu i saj letonez, Artis Pabriks.
Po ashtu, ministri hungarez i Mbrojtjes ka nisur mesazh ngushëllimi për rënien në detyrë të nëntetares Zarife Hasanaj. Ministri Tibor Benkő shkruan në mesazhin drejtuar ministres Xhaçka: “Me trishtim të madh mësova për shpërthimin tragjik. Ky aksident thekson rreziqet me të cilat përballen trupat tanë. Dërgoj mendimet dhe lutjet e mia për familjet në këto kohë të vështira”, thuhet në mesazh.
Gjithashtu mesazhe ngushëllimi për nëntetaren Hasanaj kanë bërë edhe atashetë e huaj ushtarakë.
Atasheu amerikan shprehet se, “keqardhje për humbjen e jetës së ushtarakes suaj. Zemrat tona janë gjithashtu të hidhëruara”. “Ngushëllimet, mendimet dhe lutjet e mia janë me familjen. Tragjike të humbësh një anëtar të familjes ushtarake”, shprehet në mesazhin e ngushëllimit atasheu britanik.
Atasheu gjerman tha se “mendimet e mia me familjet dhe shpresoj shërim të shpejtë për të plagosurit. Uroj shumë forcë për të përballuar këtë situatë të vështirë”.
Atasheu turk në mesazhin e ngushëllimit shprehet se, “unë e di se sakrificat e tyre kurrë nuk do të harrohen dhe gjithashtu borxhi nuk mund të shlyhet. Në emër të FA turke, shpreh simpatinë tonë të përzemërt dhe dëshiroj një shërim të shpejtë për ushtarët e plagosur”.
KOHA JONË SONDAZH

