Mjekët e Onkologjikut janë të shqetësuar: Pacientët janë mosbesues, njëri më mori në telefon pse…
Pas skandalit në shërbimin Onkologjik, është acaruar marrëdhënia mjek pacient ku edhe ata të cilat nuk i kanë emrat në dosjen e prokurorisë, po përballen me agresivitetin e familjarëve të pacientëve.
Sotiraq Senjo, mjek onkolog, për Top Channel, thotë se marrëdhënia mjek- pacient është dëmtuar dhe kjo do të ketë efekte afatgjata. ”Mua më kanë marrë familjarë të pacientëve dhe më kanë thënë që nuk kanë ecur mirë pacientët se nuk i është futur uji, apo nuk i kanë rënë flokët. Por jo me të gjitha kimio terapitë të bien flokët. Marrëdhënia mjek- pacient është dëmtuar dhe kjo do të ketë efekte afatgjata. Jo të gjithë pacientët ecin mirë nën trajtim. Ata që do të ecin keq do të jenë mosbesues. Çdo të bëjmë tani, do thërrasim prokurorinë për Çdo gjë?”.
Si i lexoni ju ato radhë të përgjimeve ku thuhej që mjekët ulin dozat e kimioterapisë? ”Mjekët ulin dozat e kimioterapisë, kjo është diçka normale që ndodh në raste komplikacionesh, por nuk do të thotë që ulet doza me qëllimin për të shitur. Mjeku nuk ka asnjë kontakt e ilaçet. Mjeku plotëson recetën dhe e dërgon nëpërmjet infermieres në farmacinë qendrore ku tretet ilaçi dhe nuk ka asnjë kontakt me ilaçin. Nuk mund të marrë mjeku ilaçin dhe ta shesë”,-thotë më tej Senjo.
Në dosjen e prokurorisë përfshihet dhe brakiterapia e cila ka mbërritur që në kohën e pandemisë dhe për të cilën mjekët kanë denoncuar pasi burimi i rrezatimit nuk kishte bunker të posaçëm dhe rrezatimi dëmtonte mjekët dhe pacientët. Mjekët janë të alarmuar pasi thonë që ky burim rrezatimi është shumë pranë ku ata ofrojnë shërbim.
Rozana Buci, fizikante mjekësore: Ky burim është i kapsuluar dhe në ambientet ku lëvizin në asnjë moment nuk ka pasur doza rrezatimi mbi nivelin e lejuar. Nëse ky burim do të ishte në punë gjatë asaj kohe, atëherë mjekët do kishin të drejtë të shqetësoheshin. Ky burimi rrezatimi është nxjerrë nga kapsulimi vetëm për t’u testuar dhe nuk është vënë asnjë herë në funksion ndërkohë që ka vetëm një vit kohë që të mund të përdoret ende.