Mjekët në Fier: 5 të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën
Mjekët e spitalit të Fierit, në një dalje për mediat, thonë se gjendja e 5 të plagosurve nga sherri i një dite më parë janë jashtë rrezikut për jetën. “Në spitalin e Fierit kemi 5 persona, dy janë në reanimacion dhe tre persona të tjerë janë në pavion jashtë rrezikut. Njëri nga pacientët ka bërë operacion, pacienti tjetër kishte një plagë shpuese, personi i plagosur me armë zjarri kishte dy plagë në kyçin e dorës dhe në shpatull, pa qenë plumbi prezent brenda dhe dy persona të tjerë të rrahuar me trauma sipërfaqësore. Ne kemi reaguar menjëherë. Për gjithë pacientët i është kryer ekzaminimi”, u shpreh mjeku për mediat.
Akuzat
Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka reaguar sërish për ngjarjen në Fier. Këtë herë ai ka ndarë me ndjekësit e tij në facebook, një mesazh të dërguar nga Fieri, në të cilin shpjegohet se si njerëz të dërgura nga Armando Subashi po mundohen të nxjerrin jashtë funksionit kamerat e spitalit të Fierit për të fshehur krimin e rëndë ndodhur një natë më parë. “Narkoshteti në shërbim të kriminelëve për të mbuluar gjurmët e krimit!”, duke publikuar mesazhin e qytetarit që ka mbërritur në adresë të tij.
Ngjarja
Një sulm me armë zjarri ndodhi brenda Urgjencës së Spitalit të Fierit mbrëmjen e së shtunës. Pjesëtare te dy familjeve u përleshen me njëri-tjetrin në fshatin Levan me mjete të forta. Me pas ata kanë kërkuar ndihmë ne spital nën shoqërimin policisë. Përplasja mes dy familjeve nuk ka përfunduar me kaq. Përleshja ka vijuar edhe në prani të policisë. Një prej personave që shoqëronte të plagosurit i ka marrë armën efektivit të policisë dhe ka sulmuar në drejtim të kundërshtarëve të tij, duke lënë të plagosur rëndë një prej tyre. Polici ka qenë duke ndihmuar të plagosurit dhe kur po fuste barelën me një të plagosur në spital, i është rrëmbyer arma. Pak minuta pas ngjarjes u arrestua autori qe i mori armën policit dhe sulmoi pacientët së bashku me një tjetër person. Në kërkim janë edhe dy bashkëpunëtorët e tjerë. Në vendngjarje përveç policisë kanë mbërritur edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, por drejtoresha e spitalit thotë se nuk ka vend për panik dhe se shërbimet vazhdojnë normalisht. Policia po heton për të zbardhur motivet e ngjarjes qe terrorizoi pacientë e mjekë në Spitalin Rajonal të Fierit mbrëmjen e se shtunës.

