Mjekja shqiptare në Gjermani tregon se kur do të kemi një vaksinë
Aurora Meta Dollenberg, nënkryetare e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Diasporë, bën një parashikim se kur mund të kemi një vaksinë ndaj koronavirusit. ”Kanë filluar në Gjermani punimet nëpër laboratorë për të zhvilluar vaksinën ndaj tij. Nga eksperienca mund të themi se kur ka pasur influenca, pas dy muajsh është arritur të zhvillohet edhe një vaksinë. Mund të them se përafërsisht të paktën pas katër deri në gjashtë javë duhet të ketë ndonjë rezultat për sa i përket vaksinimit”.
Nga ana tjetër, Dollenberg shpjegoi se pavarësisht se në Gjermani janë shënuar 2 viktima nga koronavirusi dhe mbi 1200 persona janë infektuar, mjekët atje nuk janë në gjendje alerti, ndërsa jeta vazhdon normalisht. ”Nuk duhet lënë pa përmendur se gati 80% e personave të infektuar janë shëruar”.
Duke bërë apel për sa më shumë qetësi, për të shmangur panikun, Aurora Meta Dollenberg shtoi se koronavirusi është i ngjashëm me gripin dhe masat që duhet të marrim janë ato që merren edhe ndaj grupit. ”Baza e trajtimit është izolimi, sepse kapacitetet e spitaleve janë të ulëta. Edhe nga ana mjekësore nuk është e nevojshme që këto persona të qëndrojnë në spitale. Duhet thjesht marrja e sa më shumë lëngjeve, supave, një dietë e pasur me proteina, të cilat mundësojnë prodhimin e antitrupave të nevojshëm ndaj virusit”.