
Mjeku Ermal Pasha ka ngritur shqetësime për mënyrën se si u trajtua 28-vjeçari Erjon Vishkulli, i cili mbeti i plagosur rëndë në sy nga një plumb gome gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë. I riu rrezikon të humbasë shikimin, ndërsa mjeku pretendon se nuk u lejua t’i ofronte ndihmën e parë në momentet pas incidentit.
Në një intervistë për News24, Pasha tregoi se kishte parë të riun të shtrirë në anën tjetër të Lanës, të rrethuar nga disa persona. Fillimisht, ai mendoi se bëhej fjalë për një rast asfiksie nga gazi, por duke parë se situata po zgjaste, vendosi të ndërhynte.
“Kur pashë që situata po zgjaste, tentova të vrapoja drejt tij, por nuk më lejuan. Isha vetëm. Hoqa maskën, syzet dhe u prezantova që të më njihnin. Doja ta ndihmoja, por u pengova”, deklaroi mjeku. Pasha ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi transportimin e të plagosurit, duke pretenduar se Vishkulli ishte vendosur fillimisht në një automjet të policisë të përshtatur si ambulancë, por më pas ishte zbritur prej tij.
“Si ka mundësi që hipi në ambulancën e policisë dhe më pas u zbrit? Kush e dha urdhrin?”, pyeti ai, duke kërkuar sqarime për rrethanat e këtij veprimi. Sipas mjekut, bëhej fjalë për një fuoristradë të përshtatur për transport mjekësor, e cila qëndronte pranë rreshtimit të forcave të policisë.
