Mjeku i dha 50 mijë € borxh, por miku i hyn si ”pronar” në shtëpi dhe i vjedh një shumë me euro

Olsi Bibollari, pronar i një restoranti dhe aksioner në një bar kafe në Tiranë, nuk u mjaftua me 50 mijë euro borxh, që ish-shef i urgjencës në QSUT ia dha me kontratë. Disa ditë më parë, 38-vjeçari dhe kardiologu Eqerem Hasani, ishin tek noteri për të firmosur kontratën që njeh borxhin mes tyre.

Teksa janë kthyer sërish bashkë me automjetin e Olsi Bibollarit, ish-shefi i urgjencës së sëmundjeve të brendshme në QSUT, ka harruar në automjet çelësin e apartamentit. 38-vjeçari nuk ka humbur kohë dhe sapo është ndarë me doktorin dhe është siguruar që nuk iu drejtua banesës, ka shkuar ne apartamentin e tij te Komuna e Parisit, ka hapur derën me çelës, dhe ka marrë 15 mijë euro.

Kur ka vënë re mungesën e parave, mjeku Eqerem Hasani ka bërë denoncim në polici dhe pasi kanë hapur kamerat është arritur të identifikohet se personi që i ka hyrë në shtëpi, është miku të cilët i kishte dhënë 50 mijë euro borxh. Policia thotë se në shtëpinë e autorit, sekuestroi shuma parash të dyshuara nga ato që u vodhën në banesën e kardiologut. Po ashtu u sekuestrua një automjet si dhe veshjet që autori ka përdorur gjatë momentit kur ka hyrë për të vjedhur në shtëpinë e doktorit, ngjarje e ndodhur më 25 gusht. Tashmë Bibollari do të hetohet për veprën penale të vjedhjes.

SHKARKO APP