Mjeku shqiptar tregon gjendjen e spitaleve në Amerikë: Janë plot, po shtohen të infektuarit dhe të vdekurit
Arjet Gega, mjeku shqiptar infektiv i cili punon në një spital të shtetit të Conectikatit tregon se spitali është plot me pacientë të infektuar me COVID-19 dhe numrat e tyre vazhdojnë e rriten.
Ne një intervistë për gazetaren Beti Njuma në studion e RTV Ora, mjeku tregon: “Gjëndja në SHBA dhe në spitalin ku jemi neve dhe në shtetin e Conectikat është e tendosur. Vazhdojnë të rriten numrat e të prekurve dhe të viktimave. Reanimacioni tek ne është thuajse plot dhe plot pacientë janë të shtruar në kate. Këto numra duket sikur do shtohen. Sidomos ata të shtruar në reanimacion vazhdojnë të rriten dhe një pjesë e mirë e këtyre pacientëve nuk kanë një përmirësim të shpejtë. Një pjesë qëndrojnë në reanimacion të intubuar me ditë të tëra dhe kjo shton ngarkesën.”
Mjeku Gega thotë se ndonëse numri i të infektuarve ka shkuar në 150 mijë në të gjithë SHBA, shifra reale është shumë më e lartë dhe do të rritet shumë më shumë këto dy javë. Shton se gjatë këtyre dy javëve do të rritet dhe mortaliteti pasi ka shumë pacientë në gjëndje të rëndë
“ Duket që janë të infektuar dhe të rinj dhe fëmijë, pavarësisht se kanë pak simptoma. Numra 150 mijë është në realitet shumë më të mëdha dhe do të vazhdojë të rriten. Në dy javët në vazhdim nuk e kemi arritur pikun, mortaliteti është ai që është por unë kam plot pacientë që janë në gjëndje shumë të rëndë por për arsye të intubimit dhe ventilimit artificial, janë akoma gjallë por një pjesë e tyre nuk besoj se do të kenë përfundim të mirë. Një pjesë e mirë e pacientëve janë obezë. Të mirat e distancimit social do i shohim në javët në vazhdim, nëse duhet ti kthehemi normalitetit duhet të bëjmë izolim dhe karantinim agresiv të rasteve positive dhe kontakteve të tyre.”
A ndihet i rrezikuar?
Mjeku Gega tregon: “Edhe këtu ka problem të theksuar me maskat dhe veshjet special dhe ne jemi duke u sjellë shumë nikoqirllëk. Më përpara ne përdornim një maskë për një takim por tani, maskat profesionale i përdorim për tre ditë”