
Investimet për ujitjen, kullimin dhe mbrojtjen nga përmbytjet në Shqipëri arrijnë në 10 miliardë lekë për periudhën 2025-2027, ndërsa çdo vit për këto tri fusha financohen mbi 3 miliardë lekë. Shifrat u bënë të ditura nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë konferencës ndërkombëtare “ALBANIA WATER 2030”.
Në konferencë, ku morën pjesë ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ambasadori i Spanjës, rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, përfaqësues të CIHEAM Zaragoza dhe ekspertë të fushës, u diskutua për menaxhimin e burimeve ujore, përmirësimin e sistemeve të ujitjes dhe sfidat që sjellin ndryshimet klimatike për bujqësinë. Salla tha se modernizimi i sektorit kërkon investime afatgjata, të mbështetura në studime dhe ekspertizë shkencore, në mënyrë që fermerët të përfitojnë shërbime më të mira dhe prodhimi bujqësor të jetë më i qëndrueshëm.
”Modernizimi i bujqësisë kërkon vizion afatgjatë, investime të qëndrueshme dhe politika të mbështetura në dije dhe ekspertizë shkencore. Çdo vit, financojmë mbi 3 miliardë lekë për këto tri fusha, me synimin për të përmirësuar shërbimin dhe për të rritur qëndrueshmërinë e prodhimit bujqësor”, u shpreh Salla. Ministri theksoi se investimet nuk duhet të përqendrohen vetëm te rehabilitimi i infrastrukturës ekzistuese. Sipas tij, nevojiten edhe studime shkencore, analiza të bilanceve ujore dhe teknologji që u përshtaten kushteve të secilës zonë.
Ai vuri theksin te shtimi i kapaciteteve ujëmbledhëse dhe kalimi drejt sistemeve moderne të ujitjes me presion duke sjellë si shembuj projektet e mbështetura nga Banka Botërore në Divjakë dhe në zonën Mursi-Konispol, si dhe ndërhyrjet në sistemet e kullimit në Maliq dhe Torovicë. Një tjetër çështje e diskutuar ishte bashkëpunimi mes Ministrisë së Bujqësisë dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës, me synim që investimet dhe politikat për sektorin të mbështeten më shumë në kërkimin shkencor dhe nevojat e evidentuara në terren.
”Së bashku me UBT po ndërtojmë një partneritet më të strukturuar, që të përfshijë studime të përbashkëta, identifikimin e problematikave në terren, vlerësimin e alternativave teknike dhe monitorimin e rezultateve të investimeve. Kjo do të na ndihmojë të marrim vendime më të sigurta, të përdorim me më shumë efikasitet fondet publike dhe të sigurojmë që politikat tona t’u përgjigjen nevojave reale të sektorit”, theksoi Salla.
