“Mona Liza e Beratit” shfaqet në publik pas restaurimit 3-mujor
Ikona monumentale “Shën Maria me Krishtin në krahun e djathtë”, vepër e Onufrit, i prezantohet publikut në Berat, pas një procesi restaurimi 3-mujor në Laboratorin e Konservimit dhe Restaurimit pranë Muzeut Kombëtar Ikonografik “Onufri”.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përcolli në rrjetet sociale, pamje nga ikona e restauruar, e cila iu paraqit publikut me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve.
Kjo ikonë njihet ndryshe edhe si “Mona Lisa e Beratit”. Ndërhyrja restauruese u përqendrua në konsolidimin e shtresave piktorike dhe pastrimin e sipërfaqes së ikonës, duke rikthyer edhe shkëlqimin e veshjes së saj të argjendtë, të errësuar ndër shekuj nga oksidimi dhe papastërtitë e akumuluara.
“Shën Maria me Krishtin në krahun e djathtë” i përket shekullit të 16-të. Asaj iu rikthye shkëlqimi i dikurshëm nga restauratori Erion Lezi. Ikona, me përmasa 130 × 75 cm, i përket ikonostasit të Katedrales “Fjetja e Shën Marisë”, monumentit ku sot është vendosur Muzeu “Onufri”.
Edhe pse ishte restauruar rreth gjysmë shekulli më parë, ajo paraqiste dëmtime në shtresat përgatitore dhe në pelikulën piktorike, si edhe papastërti të akumuluara ndër shekuj, veçanërisht në veshjen e saj të argjendtë, e cila kishte pësuar oksidim dhe errësim të ndjeshëm. Tashmë publiku do e shohë këtë kryevepër me gjithë harmoninë, elegancën dhe forcën e saj të jashtëzakonshme shprehëse.
KOHA JONË SONDAZH

