Monika Kryemadhi flet për Zërin e Amerikës: Nuk i di arsyet e kërkesës për divorc nga Ilir Meta
Në Shqipëri, ish-presidenti i Republikës Ilir Meta, njoftoi te enjten se ka nisur procedurat e divorcit nga bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, pas 26 vitesh martesë e akoma më shumë vite të një bashkëjetese politike. Zonja Kryemadhi i tha Zërit të Amerikës se nuk preferonte për momentin të komentonte vendimin e bashkëshortit të saj dhe se më parë donte të mësonte arsyet që e kishin çuar zotin Meta në kërkesën për divorc, të depozituar të enjten në Gjykatën e Tiranës.
Në mbrëmje, gjatë emisionit “Çim Peka live” në Syri.Tv, ish presidenti Meta, tha se zonja Kryemadhi “është tanimë ish bashkëshortja”, dhe se vendimin ai ia kishte komunikuar djalit të tyre Besar Meta, 24 vjeçar, i cili sipas tij, disa herë i kishte kërkuar që të dy prindërit të gjenin “një zgjidhje të qetë, përsa kohë keni shumë tensione dhe probleme. Mendoj se kam gjetur një zgjidhje shumë të qetë”, u shpreh zoti Meta.
Prej disa muajsh zoti Meta nuk jeton në shtëpinë e familjes. Edhe në kërkesën për divorc, ai ka paraqitur si adresë personale, atë të Partisë së Lirisë. Tronditja e marrëdhënieve mes tyre u shpërfaq dhe publikisht, kur riformatimi i strukturave drejtuese të Partisë së Lirisë, la jashtë tyre zonjën Kryemadhi. Të dy shkëmbyen dhe polemika gjatë mbledhjeve të forumeve drejtuese të Partisë.
Ish presidenti nuk dha ndonjë shpjegim për arsyet e kërkesës për divorc, por la të kuptohej qartë se për të kishte qenë i papranueshëm qëndrimi i zonjës Kryemadhi ndaj Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në një kohë që ajo “ishte në dijeni të gjithë veprimtarisë së SPAK-ut kundër bashkëshortit e të gjithë përpjekjeve për të shantazhuar persona të ndryshëm kundër Metës”, deklaroi ai duke shtuar se “Monika është më afër me SPAK-un se sa me mua. Por SPAK-u nuk e merr dot peng Ilir Metën, as përmes bashkëshortes, as përmes askujt tjetër”.
Javën e shkuar zoti Meta qëndroi për më shumë se tre orë përballë hetuesve në Prokurorinë e Posaçme. Ndërsa nuk u bë e qartë se për cilin hetim ai ishte thirrur, në deklarimet e tij të mëpasshme, zoti Meta la të kuptohej se ishte pyetur rreth çështjeve që lidhen me pasurinë e familjes së tij. Ndaj tij dhe zonjës Kryemadhi po kryhet dhe një hetim pasuror. Ish presidenti deklaroi se ai nuk është marrë asnjëherë me çështje pronash apo financash, për të cilat ai ia la përgjegjësinë bashkëshortes Monika Kryemadhi. Të njëjtin qëndrim ai mbajti dhe gjatë emisionit të së enjtes, duke përsëritur po ashtu akuzat ndaj Prokurorisë së Posaçme. Ndërkohë që në deklarimet e saj, pas marrjes në pyetje po në Prokurorinë e Posaçme, zonja Kryemadhi ka qenë tejet e matur duke u shprehur se “prokurorët po bëjnë punën e tyre”.
Zoti Meta dhe zonja Kryemadhi, kanë përfaqësuar një rast të rrallë në Shqipëri, atë të një çifti me një angazhim të lartë politik. Rrugëtimi i tyre, ka nisur që kur ata ishin në drejtimin e organizatës rinore socialiste FRESH, duke vijuar më pas në gjirin e familjes socialiste deri në vitin 2004, ku të dy, së bashku dhe më një grup tjetër socialistësh, u shkëputën, duke themeluar Lëvizjen Socialiste për Integrim. Një parti e drejtuar nga Meta, e ku zonja Kryemadhi mbajti funksione të larta në hierarkinë e kësaj force politike, duke marrë dhe frenat e saj në dorë, pasi verën e vitit 2017, zoti Meta u zgjodh president i Republikës. Dy ditë pas përfundimit të mandatit si Kryetar Shteti, në korrik të 2022, zoti Meta rimori drejtimin e LSI-së duke i ndërruar asaj edhe emrin, në Partia e Lirisë./VOA