Monitor: Leku fiton pikë ndaj të gjitha valutave kryesore, Euro drejt kufirit të 104 lekëve
Leku e ka nisur këtë javë duke fituar pikë në kursin e këmbimit me valutat e tjera. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të hënën me 104.25 lekë, në rënie të mëtejshme me 0.17 pikë që nga fundi i javës së kaluar.
Euro ka prekur tashmë një nivel të ri minimal për tre muajt e fundit. Për herë të fundit, Euro i ishte afruar nivelit të 104 lekëve në mesin e muajit gusht, kur kursi ishte ende nën efektin e sezonit turistik.
Tendencë të ngjashme po shënojnë edhe valutat e tjera të huaja. Dollari Amerikan u këmbye me 97.5 lekë, në rënie me 0.34 pikë krahasuar me fundin e javës së kaluar. Paundi Britanik zbriti në 119.37 lekë, 0.1 pikë më pak krahasuar me të premten. Franga zvicerane zbriti në 108.07 lekë, 0.42 lekë më pak krahasuar me mbylljen e javës së kaluar.
Forcimi ndaj monedhës europiane është përcaktues edhe në raportet me valutat e tjera. Ashtu si Euro, edhe valutat e tjera të huaja ndodhen në vlerat më të ulëta të tre muajve të fundit.
Pozitat e forta të Lekut në kursin e këmbimit janë të lidhura me rritjen e flukseve hyrëse dhe përmirësimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë, por edhe me politikën e shtrënguar fiskale të qeverisë shqiptare. Flukset e larta hyrëse nga turizmi dhe investimet e huaja direkte e kanë përmirësuar ndjeshëm Bilancin e Pagesave këtë vit.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, për 6-mujorin 2023 deficiti kishte vlerën e 323 milionë eurove, në rënie me 27.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vlerësohet se përmirësimi ka vijuar edhe në tremujorin e tretë, i shtyrë sidomos nga shifrat rekord të turizmit hyrës.
Njëlloj siç ndodhi edhe vitin e kaluar, kursi i këmbimit Euro-Lek po vazhdon rënien edhe pas sezonit veror. Nëse vitin e kaluar forcimi i Lekut u frenua disi nga importet e larta të energjisë elektrike, ndikimi i këtij faktori gjatë vitit është shumë më i ulët.
Madje, të dhënat e deritanishme tregojnë se prodhimi vendas i energjisë e ka tejkaluar konsumin dhe vendi ynë ka qenë eksportues neto. Reshjet e javëve të fundit kanë rritur prurjet e lumenjve, prodhimin e energjisë elektrike dhe kanë nxitur eksportet e saj. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka kaluar në pozicion shitës të energjisë dhe gjatë muajit nëntor ka kryer tre procedura të tilla.
Nga ana tjetër, oferta e Lekut vazhdon të jetë e shtrënguar, për shkak të kreditimit më të ngadaltë dhe sidomos për shkak të suficitit të larët buxhetor. Në fund të 9-mujorit, suficiti arriti vlerën rekord të 51 miliardë lekëve, ndërsa në fillim të muajit nëntor qeveria vendosi një rishpërndarje të fondeve buxhetore, edhe për shkak të nivelit shumë të ulët të realizimit të shpenzimeve.
Së fundmi, një lëvizje në kahun shtrëngues ndërmori edhe Banka e Shqipërisë, duke rritur normën bazë të interesit për herë të parë që nga muaji mars. Norma bazë tashmë ka arritur në 3.25%, niveli më i lartë i dekadës së fundit, ndërsa Këshilli Mbikëqyrës ka paralajmëruar rritje të tjera gjatë muajve të ardhshëm./Monitor