Monitorimi, cilësia në plazhet shqiptare rritet 50%
Nga kampionet e marra në dy javët e fundit të muajit maj 2016 , rezulton se këtë vit plazhet shqiptare janë të një cilësie shumë të mirë. Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Julian Beqiri publikoi të dhënat e monitorimit paraprak, faza 1 të cilësisë së ujërave larës përgjatë vijës bregdetare për vitin 2016.
“Mbi 90% e plazheve në Shqipëri janë të kategorisë A pra cilësi shumë e mirë këtë vit. Nga 99 pika monitorimi, 90 prej tyre me cilësi shumë të mirë. Gjithashtu plazhet shqiptare vazhdojnë të kenë të njëjtin trend rritjeje të cilësisë krahasuar me një vit më parë. ”- u shpreh Z. Beqiri i cili theksoi se krahasuar me vitin 2014 cilësia e plazheve është rritur me mbi 50%.
Më tej kreu i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) detajoi për median rezultatet e monitorimit. si më poshtë:
Cilësia e ujërave larëse është shumë e mirë në 90 pika plazhin e Divjakës, Velipojës, Tales, Shëngjinit, Gjiri i Lalzit, Golemit, Qerretit, Spillesë, Zvërnecit, Dhërmiut, Himarës, Qeparoit, Borshit, Ksamilit, dhe Semanit.
Cilësia e Ujërave Larëse është e mirë në 6 pika në Plazhin e Orikumit (Kompleksi “Orikumi”dhe Bar-Restorant Aleksandër) si dhe në Plazhin e Vlorës (Plazhi i Vjetër K.Pionerit, Plazhi i Ri, Radhimë Grand Hotel dhe Bar Restorant Freskia).
Cilësia e Ujërave larëse është e keqe në 3 pika Plazhin e Vlorës (Stacioni i Shkollës së Marinës), në Plazhin e Sarandës (Stacioni Kanali i Çukës-Dodona) dhe në Plazhin e Durrësit (Stacioni i Kompleksit Xhardino).
Duke u ndalur tek risitë së sjell monitorimi i parë i këtij viti, kreu i AKM-së theksoi se është rritur ndjeshëm cilësia e plazhit në Durrës. “Kemi përmirësim shumë të mirë të ujit në 20 pika në plazhin e Durrësit, kjo falë vënies së funksion të impiantit të ujërave të zeza”- tha Z. Beqiri i cili apeloi gjithashtu edhe për tre pikat problematike në plazhet shqiptare. “I bëj thirrje pushtetit vendor që të marrë menjëherë masa në përmirësimin e infrastrukturës me qëllim përmirësimin e cilësisë së këtyre plazheve”. –përfundoi fjalën e tij kreu i AKM-së .
Monitorimi paraprak i AKM-së për vitin 2016 për herë të parë është shtrirë në 99 pika nga 78 pika në vitin 2015 duke rritur në këtë mënyrë kontrollin përgjatë gjithë bregdetit shqiptar.Në listën e plazheve të monituara për herë të parë janë shtuar edhe plazhet e Divjakës, Tales dhe Spillesë.
Kjo është vetëm faza e parë monitorimit të cilësisë së ujërave larës për vitin 2016. Agjencia Kombëtare e Mjedisit do të vijojë me monitorimin e plazheve edhe me dy faza të tjera; një në mes të sezonit dhe një tjetër në fund të sezonit veror. Mesatarja e tre fazave të monitorimit do të sjellë edhe rezultatin përfundimtar për cilësinë e ujërave në vijën bregdetare shqiptare për vitin 2016.
KOHA JONË SONDAZH

