Sulm terrorist në Vjenë të Austrisë
Kryeqyteti i Austrisë, Vjena është tronditur mbrëmjen e sotme nga një sulm terrorist.
Shtatë të vdekur dhe disa të plagosur, raportohet. VOA raporton se Ministri i Brendshëm e cilësoi si një “sulm terrorist”. Një operacion i gjerë është duke u zhvilluar. Policia u ka bërë thirrje njerëzve që të shmangin të gjitha hapësirat publike dhe të mos marrin transportin publik.
Pamjet e postuara në mediat sociale treguan njerëz duke vrapuar ndërsa dëgjoheshin të shtëna me armë. Sulmi ndodhi në një rrugë pranë një sinagoge.
Udhëheqësi i komunitetit hebre Oskar Deutsch shkroi në Twitter se ishte e paqartë nëse sinagoga e Vjenës ishte në shënjestruar të sulmit pasi ishte e mbyllur në atë kohë.
Ndërkohë ka reaguar menjëherë Kancelari austriak Sebastian Kurz, pas sulmit terrorist me disa të vdekur që tronditi Vjenën mbrëmjen e sotme.
Kancelari Kurz thotë se nuk do të frikësohen nga terrorizmi dhe se për kapjen e autorëve tashmë do të angazhohet edhe ushtria. Ai shprehet se i gjithë vendi është me mendime pranë familjarëve të viktimave dhe të plagosurve nga ky sulm.
“Tani jemi duke përjetuar orë të vështira. Unë do të doja të falënderoja të gjitha shërbimet e urgjencës, veçanërisht sot që rrezikuan jetën e tyre për sigurinë tonë. Policia jonë do të marrë masa vendimtare kundër autorëve të këtij sulmi të tmerrshëm terrorist. Më vjen mirë që oficerët tanë të policisë kanë qenë në gjendje të eliminojnë një autor të krimit.
Ne kurrë nuk do ta lejojmë veten tonë të frikësohemi nga terrorizmi dhe do t’i luftojmë me vendosmëri këto sulme.
Kështu që policia mund të përqendrohet plotësisht në luftën kundër terrorizmit, qeveria federale ka vendosur që forcat e armatosura të marrin përsipër mbrojtjen, të kryer më parë nga policia në Vjenë.
I gjithë vendi është në mendime me familjet e viktimave dhe të plagosurve, të cilëve u shpreh ngushëllimet më të thella. Ne falënderojmë liderët e Bashkimit Europian dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për shprehjet e solidaritetit të tyre”, shkruan Kurz.