FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Mos ia hiqni Albin Kurtit meritat për protestat në Tiranë

Nga Mero Baze-

Ky debat rreth qytetarëve shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë që vijnë në protestë është shumë hipokrit. Përpjekja e Edi Ramës për t’i distancuar ata nga Albin Kurti dhe nga diaspora është e pakuptimtë dhe e panevojshme, madje dhe e padrejtë, pasi i mohon Albin Kurtit punën më të rëndësishme me të cilën merret prej vitesh, qyshkurse është bërë kryeministër në detyrë i Kosovës.

Nuk ka rëndësi nëse dikush i quan diasporë e dikush qytetarë shqiptarë. Ata janë shqiptarë të katër shteteve fqinje, që mbështesin frymën e Albin Kurtit kundër qeverisë së Edi Ramës në Tiranë. Nëse nuk e pranojmë këtë të vërtetë, jemi hipokritë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Madje Albin Kurti është më i ndershëm në këtë pikë, se nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën e tij për të qenë faktor politik në Maqedoni, tek shqiptarët në Serbi, në Mal të Zi dhe Shqipëri.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në Maqedoni ka mbështetur pa asnjë kompleks një krah politik bashkëpunues me pushtetin në Maqedoni që ka defaktorizuar shqiptarët; në Preshevë ka çetën e tij; në Mal të Zi, që e ka atdheun e vet, po ashtu; ndërsa në Shqipëri madje ka ardhur dhe ka votuar kundër Edi Ramës.

Tani mos ia hiqni meritat që me zor i ka arritur, se ai vetë nuk i fsheh. Ai ia ka dalë në Maqedoni të ketë çetën e vet të shqiptarëve, në Preshevë po ashtu, në Mal të Zi i ka bërë nja pesë parti shqiptarë, nga një për katund, dhe në Shqipëri ka dërguar gjithë kabinetin e tij në krye të protestës. Vetëm ajo Mihali ka mbetur pa ardhur, ngaqë ajo nuk lëviz pa shefin e vet.

Nuk ka asnjë dilemë që shqiptarët e Kosovës që vijnë të protestojnë këtu bashkë me qytetarët e Shqipërisë janë jo vetëm të frymëzuar nga Albin Kurti, por dhe të organizuar prej tij.

Por kjo nuk është ndonjë fatkeqësi. Madje qeverisë nuk i prish asnjë punë. Qeveria ka punë me qytetarët e saj, jo me adhuruesit e tyre. Qeveria e ka betejën politike me votuesit e saj, jo me votuesit e Albin Kurtit. Atyre mos ua hiqni meritat në këtë betejë, se i gjithë stafi politik i Albin Kurtit është në Tiranë bashkë me organizatorët dhe duhet të keni respekt për mundimin e tyre. Qeverisë nuk i bën asnjë dëm prania e tyre, përveçse rrit vetëkënaqësinë e organizatorëve që duken më shumë me ta.

I vetmi dëm në politikën afatgjatë që krijojnë lëvizje të tilla është forcimi i një fryme ndarjeje mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe këtyre që jetojnë në shtete fqinje, për arsye politike. Por dhe kjo ka ndodhur vazhdimisht në histori. Pas Luftës së Dytë Botërore shumë shqiptarë kishin një frymë antikosovare prej aktit të 4 Shkurtit, i cili u identifikua me Xhafer Devën. Në Kosovë kishte një frymë kundër Shqipërisë nga identifikimi i Shqipërisë me partizanët që shkuan në ndihmë të ushtrisë antifashiste të Titos. Pas 1990, shumë shqiptarë në Shqipëri kishin një frymë antikosovare nga përzierja e politikës së Kosovës pro Berishës në disa zhvillime negative në Shqipëri, siç ishte referendumi i vitit 1994. Por kur ishte puna tek Lufta e Kosovës, të gjitha këto ranë dhe Shqipëria hapi dyert dhe zemrat.

Kaq dëm mund të bëjë përfshirja e Albin Kurtit në Shqipëri në emër të Kosovës. Asgjë më shumë.

E vetmja gjë që mund ta rëndojë më shumë është nëse ai “heroi” që hoqi flamurin e Izraelit dje nga ambasada në Tiranë mund të jetë dhe pjesë e tyre, meqë Ditmir Bushati na ka siguruar që nuk është i nxitur nga Irani.

Por mos ia hiqni Albin Kurtit meritat për të cilat harxhon më shumë kohë sesa të formojë një qeveri në vend të vet.

Kosova ka dy vjet pa qeveri, vetëm se Albin Kurti i do gjithë pushtetet, ndërsa në Shqipëri vjen të protestojë pse Edi Rama është në pushtet.

Kosova ka bërë tre palë zgjedhje dhe shkon nga zgjedhjet në zgjedhje pse Albin Kurti kërkon pushtet mbi votat që ka marrë, kurse vjen në Shqipëri dhe proteston pse qeveria nuk rrëzohet se ka marrë shumë vota.

Albin Kurti e ka indeksin e lirisë së qytetarëve të vet, shpallur nga Freedom House, më të ultin në Ballkan, shumë më poshtë Shqipërisë, dhe vjen të protestojë në Tiranë në emër të lirisë së qytetarëve. Albin Kurti e ka indeksin e lirisë së medias shumë më poshtë se në Shqipëri dhe vjen të protestojë në Tiranë për lirinë e medias. Albin Kurti e ka partinë e tij një gijotinë politike për këdo që nuk i thotë “Baba” dhe vjen tek “nëna Shqipëri” t’i gjejë asaj një “babë” si ai.

Ndaj Edi Rama bën mirë që e injoron përfshirjen e tij në Tiranë se është e parëndësishme, por meqë pretendon se e respekton, është mirë mos t’ia hajë dhe meritat.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?