“Mos kaloni nëpër Serbi”! Autoritetet bllokojnë pasaportat, kurse bandat qëllojnë
Autoritetet në Kosovë u bënë thirrje të mërkurën qytetarëve që të shmangin me çdo kusht kalimin nëpër territorin e Serbisë, pasi sipas tyre shteti serb ka bllokuar një grup të qytetarëve të Kosovës në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe ministria e Punëve të Brendshme kërkuan në një komunikatë të përbashkët që qytetarët “të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë”.
Reagimi i institucioneve pasoi njoftimin e sekretarit të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli i cili shkroi në rrjetet sociale se autoritetet kufitare të Serbisë nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobus me udhëtarë nga Kosova.
“Bllokimi i mbi rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’”, shkroi zoti Haxholli duke nënvizuar se ndalimi është hakmarrje dhe shprehje e nervozizmit me votimin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në favor të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.
Autoritetet në Serbi nuk kanë njoftuar për ndonjë ndalim të lëvizjes nëpër territorin e saj për qytetarët e Kosovës. Nga viti i kaluar ajo ka njohur dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga Kosova, ndonëse nëpër vendkalime kufitare ka vendosur afishe në të cilat thuhet se kjo nuk nënkupton njohje të pavarësisë së saj.
Serbia u shpreh e zhgënjyer të martën me votimin e së martës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës që i dha dritën jeshile anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm. Votimi i hap rrugën vendimit përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës, që duhet të merret në muajin maj në Këshillin e Ministrave të 46 vendeve anëtare të organizatës. Edhe në këtë fazë, Kosova duhet të sigurojë votat e dy të tretave të vendeve anëtare që marrin pjesë në votim.
Votimi i Asamblesë është mirëpritur nga autoritetet në Kosovë ndërsa zyrtarët në Serbi e kanë quajtur “një ditë turpi”. Beogradi ka paralajmëruar se do të vazhdojë luftën kundër anëtarësimit të Kosovës, ndonëse sipas marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve për të cilën të dyja vendet janë pajtuar vitin e kaluar, palët nuk duhet të pengojnë njëra tjetërn në proceset integruese./VOA/