Moti i keq, MIE: Vijojnë operacionet për normalizimin e situatës nga reshjet

Prej mbrëmjes së djeshme dhe gjatë ditës së sotme, vendi është përfshirë nga moti i keq.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të ditur se për pasojë, janë regjistruar disa problematika në zona të ndryshme të vendit.

Sipas MIE-s, grupet e punës në të gjithë territorin kanë qenë në gatishmëri dhe po vijojnë operacionet deri në normalizimin e situatës.

Në aksin Levan-Vlorë, si pasojë e prurjeve të mëdha, ka prezencë uji në një pjesë të segmentit, në zonën pranë rrethrrotullimit të Nartës.

Po punohet për largimin e ujit nga rruga.

Në rajonin verior ka pasur rënie gurësh dhe inertesh në akset Dushaj–Sheshi i Trageteve–Lekbibaj, Burrel–Klos, Lezhë–Vau Dejës, Bogë–Theth. Menjëherë është bërë pastrimi dhe qarkullimi po vijon normalisht.

Në zonën e Vlorës, për shkak të prezencës së lartë të ujit, OSSH ka stakuar nga puna nënstacionin që furnizon me energji elektrike një pjesë të konsiderueshme të qytetit.

OSSH ka marrë masa që objektet e rëndësisë së veçantë të furnizohen normalisht. Grupet e punës ndodhen në terren për riparimin e defekteve dhe rivendosjen në funksion të rrjetit elektrik. Aktualisht, në të gjithë vendin, janë 13 fidra jashtë funksionit.

Në të gjithë vendin, situata e furnizimit me ujë, si dhe impiantet e përpunimit të ujërave të ndotura, janë në kushte optimale.

Në intervalin kohor 12:00 – 15:00, disa fluturime që ishin për t’u ulur në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA) janë devijuar drejt aeroporteve të vendeve fqinje. Aktualisht, operimi në TIA vazhdon normalisht.

Në Portin e Durrësit, situata paraqitet pa probleme. Nuk ka problematika as në përpunimin e mallrave.

Vetëm anijet e peshkimit nuk janë lejuar të dalin në det deri në një urdhër të dytë nga Kapiteneria e Portit.

SHKARKO APP