Moti i keq në Vlorë, pezullohet lundrimi i mjeteve të vogla
Për shkak të motit të keq Kapiteneria e Portit të Vlorës ka ndaluar pajisjen me leje nisjeje të mjeteve të vogla lundruese dhe të atyre të peshkimit për 24 orë.
Sipas njoftimit për shtyp, në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike detare moti do të përkeqësohet brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, ku era do të fryjë në drejtimin jug-juglindje në forcën deri 6-7bft me shpejtësi ere deri në 15-25m/s dhe lartësi dallge nga 1.50 deri 2.50 metra.
Kapiteneria e Portit Vlorë ka ndaluar pajisjen me leje-nisje të mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit, të cilat duan të operojnë brenda gjirit të Vlorës dhe në det të hapur sot dhe nesër.
Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, Kaiteneria e Vlorës kërkon bashkëpunimin e të gjithë subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.
Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar të parashikuar për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit do të jetë më 29 janar mbas orës 06:00.
KOHA JONË SONDAZH

