Moti i keq, problematika në qarkullimin rrugor dhe detar
Reshjet e borës kanë përfshirë të gjithë juglindjen e vendit gjatë orëve të fundit duke shkaktuar në disa zona edhe probleme me lëvizjen e mjeteve si dhe me furnizimin me energji elektrike.
Vështirësi ka patur në rrugën drejt fshatit turistik të Dardhës, ku trashësia e borës ka shkuar deri në 30 cm dhe kalimi i mjeteve bëhet vetëm me zinxhirë. Vështirësi ka patur edhe lëvizja drejt Panaritit ku dëbora ka arritur 40 cm dhe fshati është i izoluar si pasojë edhe të trashësisë së dëborës në aksin Shtyllë-Mashkullorë-Panarit.
Reshjet e borës kanë shkaktuar vështirësi edhe në zonat verilindore të vendit. Në qarkun e Kukësit, në lartësitë e Shishtavecit dhe Valbonës bora ka arritur trashësinë deri në 15 cm. Akset nacionale dhe ato rurale po punohet që të mbahen të hapura, ndërsa është bllokuar rruga drejt njësisë administrative Arren në bashkinë e Kukësit.
Era e fortë ka shkaktuar problem në lundrimin detar në Durrës dhe Vlorë. Në Durrës ka patur vonesa të nisjes së trageteve drejt portit të Barit. Forca e detit dhe era kanë shkëputur një nga bovat ndriçuese, e cila ka përfunduar pranë bregut në shëtitore.
Probleme ka edhe në gjirin e Vlorës ku trageti i linjës Brindisi-Vlorë nuk ka arritur të ankorohet duke këputur litarët. Për këtë arsye është detyruar të dalë në radë në det të hapur pamundur dot të zbresë pasagjerët, të cilët do të qëndrojnë në traget deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.