MPJ reagon mbi vdekjen e Marnikolajt në Athinë
Ministria e Punëve të Jashtme reagoi sot mbi humbjen e jetës së shtetasit shqiptar Pëllumb Marnikolaj në një rajon policie të Athinës.
“Duke u shprehur familjarëve ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje tragjike, dëshirojmë të informojmë opinionin publik se:
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi ka kërkuar nga pala greke bashkëpunimin e menjëhershëm dhe maksimal të të gjitha organeve ligjzbatuese.
Nga kontaktet e deritanishme me autoritetet greke, bëhet e ditur se ekzistojnë pamjet filmike të ngjarjes, si dhe është urdhëruar kryerja e autopsisë mjeko-ligjore”, citon Ministria e Punëve të Jashtme.
Duke shtuar se ajo do të vijojë të ndjekë me vëmendje të veçantë rastin dhe kërkon nga autoritetet greke kryerjen e një hetimi të plotë dhe transparent, në respekt të të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare.
“Pala shqiptare mbetet në pritje të rezultateve paraprake të hetimit të nisur dhe bashkëpunimit të plotë të autoriteteve greke, duke rezervuar të gjitha të drejtat për trajtimin e mëtejshëm të rastit.
Ambasada jonë në Athinë do të ndjekë në vijimësi këtë çështje në çdo instancë dhe do të vijojë t’i gjendet pranë të afërmve të viktimës.
Deri në zbardhjen e plotë të situatës, MPJ fton të respektohet dhimbja e familjareve dhe të mos instrumentalizohet politikisht kjo ngjarje”, përfundon deklarata e MPJ-së.
KOHA JONË SONDAZH

