Mposhti kancerin e gjirit, sot Elida bën fushatë për kontrolle: E mora me optimizëm, kjo më ndihmoi

Elida Karafili, gjatë një vizite rutinë shtyrë nga vajza e saj, kuptoi se ishte prekur nga kanceri i gjirit. Ishte diçka e pabesueshme për të, momenti i parë që mjekët i komunikuan se shëndeti i saj nuk është i mirë, por me optimizëm dhe duke mundur frikën, vetëm pas 10 ditësh ajo hyri në operacion.

“Para 5 vjetëve, me shtytjen e vajzës kam bërë mamografinë. Nuk u interpretua mirë dhe më thanë që duhet të ndiqesha për tumor në gjirin e majtë. Gjërat u bënë shpejt dhe pas 10 ditësh unë isha në sallën e operacionit. Me këmbënguljen time unë vendosa të heq gjirin komplet për të mos i lënë vend përsëritjes së sëmundjes në po atë gjoks. Sa herë kam bërë analizat më kanë bërë mirë. Ajo që më dallon nga të tjerët është se unë nuk thash u bë hataja.

E kapa në kohë, zoti e ka në dorë, unë do bëj punën time. Puna ime ishte të mos bija në pesimizëm, të ecja shumë, kam përcjellë mesazhet që nëse ekzaminohesh herët dhe të ndjekim këshillat e mjekëve, kalon. Kur u ekzaminova, nuk i tregova familjes. Bëra operacionin. Kam qenë aktive, nuk kam menduar për më të keqen, për vdekjen. Familja e përjetoi keq, bëhej fjala për mamanë. Unë do ju thoja grave, sidomos atyre që kanë një mentalitet se kam frikë mos më del ndonjë gjë, Më mirë ta bësh mamografinë dhe ta bësh atë gjë e ta kapësh në kohë. Këtë kordelen nuk e heq asnjëherë gjatë tetorit për të ju kujtuar grave që të bëjnë mamografinë”,-tha Elida.

Pjesë e marshimit të përvitshëm “Fjongoja rozë më kujton”, që e kthen në qendër të vëmendjes betejën kundër kancerit të gjirit ishin edhe figura politike e pjesëtarë të selive diplomatike në vend që sollën për publikun histori personale me këtë sëmundje. Në Shqipëri, gjatë vitit 2022, sipas Institutit të Shëndetit Publik, janë identifikuar 710 gra me kancer gjiri.

SHKARKO APP