MSHMS: Nuk ka ndërprerje të ekzaminimeve laboratorike në spitalet rajonale dhe spitalet universitare në vend
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në një reagim në rrjetet sociale pasditen e sotme, bën të ditur se nuk ka ndërprerje të ekzaminimeve laboratorike në spitalet rajonale dhe spitalet universitare në vend. Reagimi vjen pas shqetësimit të ngritur nga gazetarët sot në mesditë, gjatë konferencës për media pas mbledhjes së qeverisë, ku ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, prezantoi disa nga vendimet e marra nga Këshilli i Ministrave.
Ministrja Sala iu përgjigj interesit të gazetarëve lidhur edhe me analizat e pacientëve të shtruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Sala tha se po mblidhen të gjitha të dhënat dhe do të bëhet më pas vlerësimi për adresimin e problemit dhe zgjidhjen e tij.
“Aktualisht kemi të gjitha të dhënat… Mbi bazën e të dhënave bëjmë planifikimin e mirë të shërbimit, pasi pa e diagnostikuar problemin nuk e shëron dot. Nuk duhet të mungojnë analizat jo vetëm në datën 20, por edhe deri në fund të muajit dhe këtë po e adresojmë dhe do ta zgjidhim brenda këtij viti”, tha ministrja Sala. Në vijim të deklaratës së ministres Sala, MShMS nënvizon se “aktualisht nuk ka asnjë ndërprerje të kryerjes së ekzaminimeve laboratorike në spitalet rajonale dhe spitalet universitare në vend”.
Sipas MShMS-së, shërbimi vijon normalisht dhe pa asnjë ndërprerje, veçanërisht për ekzaminimet e urgjencës, të cilat kryhen në çdo kohë, duke garantuar trajtimin e menjëhershëm të pacientëve në nevojë. “Strukturat shëndetësore janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës, duke vlerësuar fluksin e pacientëve, profilin e sëmundshmërisë dhe sëmundjet bashkëshoqëruese, me qëllim ofrimin e një kujdesi të integruar dhe cilësor për çdo pacient”, bën me dije MShMS.
MShMS njofton se “institucionet përgjegjëse mbeten plotësisht të angazhuara për të garantuar vijimësinë e shërbimeve, cilësinë e tyre dhe reagimin në kohë ndaj çdo nevoje për shërbim shëndetësor laboratorik dhe jo vetëm”.
KOHA JONË SONDAZH

