Mukades Çanga, këngëtarja shkodrane që me zërin e saj sfidon vitet që kalojnë, për të mbajtur ndezur prushin e traditës

Nga Albert Vataj
Mukades Çanga, është një zë i rëndësishëm i traditës së pasur të këngës qytetare shkodrane, emri dhe kontributi i së cilës është i vëllimshëm dhe i vlershëm dhe si i tillë me merita të pamohueshme për të qenë pjesë e plejadës së atyre që e farkëtuan muzikën dhe e shenjtëruan në adhurime këngën. Vokali dhe forca interpretuese e saj kanë kaluar publikun shkodranë për të rrëmbyer interesim dhe ovacione, duartrokitje dhe vlerësime përtej.
Emri dhe kontributi që Mukades Çanga dha në altarët e kulturës sonë kombëtare nuk janë pjesë e një arkivi muzikor, por një frymëmarrje e gjallë që vazhdon të pulsojë në memorien kolektive. Përmes një virtuoziteti të rrallë interpretues, një vokali tejet të fuqishëm e me ngjyrim mezipritës, si dhe një ngrohtësie shpirtërore ku ajo përkundi me përkushtim prej ebreje një prej traditave më të pasura e më të brishta të këngës qytetare, ajo mundi të shkruajë emrin e saj me germa të arta. Kjo qasje e thellë emocionale e bëri atë të renditet natyrshëm në kolanën e gjatë e të ndritur të atyre artistëve emblemakë që e përfaqësuan dhe e ngritën në një nivel sfidues këngën dhe muzikën shkodrane. Përmes zërit të saj, melosi i lashtë i Shkodrës mori një përmasë të re dinjitoze, duke e çuar atë në kryeradhën e admirimit dhe të vlerësimit nga ai publik elitar që ka ditur gjithmonë t’i presë artizanët e vërtetë të fjalës e tonit me duartrokitje e ovacione të gjata, e t’i përcjellë ata me mirënjohje të përhershme.
Mukades Çanga mbetet gjithnjë e pranishme në skenën e këngës shqipe, jo si një prani fizike apo një emër afishesh, por si një arsye supreme për të sfiduar vitet që kalojnë dhe për të mbajtur ndezur prushin e traditës. Zëri i saj u bë ura lidhëse mes mjeshtërve të mëdhenj të së shkuarës dhe gjeneratave të reja. Ajo vazhdon të frymëzojë artistët e rinj, ata që sot po e përfaqësojnë dhe denjësisht po e shpien drejt një epoke të re trashëgiminë e paçmueshme të muzikës qytetare shkodrane. Përmes virtuozitetit të saj, krijesat dhe perlat e pavdekshme të kompozitorëve e poetëve shkodranë marrin jetë sërish, duke dëshmuar se arti i vërtetë nuk i nënshtrohet kohës, por e shndërron atë në përjetësi.
E lindur në lagjen historike “Parrucë” në Shkodër, më 30 gusht 1959, ajo bart në vena trashëgiminë e një dere me rrënjë të thella patriotike, kulturore dhe artistike. Origjina nga Çangajt e Rrjollit, të njohur që në kohën e Skënderbeut për punimin e metaleve, e për më se dy shekuj si udhëheqës besimi, me figura atdhetare si Tofik Çanga e Salo Halili, apo artistë si Xhevdet Hafizi, i dha Mukadesit bazamentin e fortë moral dhe shpirtëror.
Rrugëtimi i saj muzikor nisi me natyrshmërinë e një talenti të pashmangshëm. Si një vajzë 9-vjeçare në Shtëpinë e Pionierit (1967), ajo u shqua shpejt për ngrohtësinë e vokalit. Interpretimi i saj i parë publik me këngën “Mori drandofilja e vogël”, nën drejtimin e violinistit mjeshtër Mark Kaftalli, befasoi muzikantët e kohës. Edhe pse pengesat biografike të regjimit e detyruan të punonte në fabrikën e tisazhit në vitin 1975, pasioni për këngën nuk u shua. Ajo ndoqi kursin 1-vjeçar pranë Ansamblit Kombëtar në Tiranë me pedagogë si Luçie Miloti, Abdulla Grimci, Tonin Harapi e Çesk Zadeja, për t’u rikthyer me pasion në skenë e për t’u emëruar këngëtare profesioniste pranë Teatrit “Migjeni” më 20 shkurt 1992.
Me mbi 650 këngë në repertorin e saj nga të gjitha trevat shqiptare, më shumë se 100 këngë të incizuara, 4 albume muzikore (Kosova Mbahet, Kangë Zemre, Hite Shkodrane 1 & 2) dhe 4 koncerte recitale live, Mukades Çanga mbetet një shtyllë e interpretimit vokali.
Statistika dhe verfika të karrierës
Aktiviteti teatror: Pjesëmarrëse në mbi 80 premiera të Estradës së Teatrit “Migjeni” dhe në të gjitha festivalet e humorit që nga viti 1974.
Prani në festivale: 10 pjesëmarrje në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, si dhe prani e vazhdueshme në Festivalin Tipologjik të Këngës Qytetare, “Luleborë”, “Zambaku i Prizrenit”, “Maratona e Këngës”, etj.
Gjeografia e interpretimit: Më shumë se 3,000 koncerte e shfaqje në mbarë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe në dhjetëra qytete të diasporës (nga Zyrihu, Londra e Mynihu, deri në Nju Jork, Çikago e Uashington).
Çmime dhe vlerësime kryesore
1980: Çmimi i Parë “Këngëtarja më e Re” (Vlorë)
1982: Laureate e Çmimit të Republikës (Tiranë)
2006: Titulli “Mirënjohje e Qytetit” të Shkodrës
2009: Titulli “Nderi i Unionit Artistik i Kombit Shqiptar”
2009: Çmimi i Parë me Medalje Ari në Festivalin e Gjirokastrës
2017: Titulli i lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës
Mukades Çanga mbetet “Zonja e këngës popullore qytetare shkodrane”, një artiste që virtuozitetin dhe forcën e saj interpretuese i shndërroi në urë lidhëse mes brezave, duke e mbajtur gjithnjë lart traditën e ambla të skenës shkodrane.
KOHA JONË SONDAZH

