Mund t’i ndalohet Berishës komunikimi me qytetarët? Avokati: Duhet autorizim nga…
Shumë mund ta kenë parë shtyrjen për herë të tretë të seancës ku do t’i komunikohet masa e re e sigurisë Sali Berishës si një taktikë për të fituar kohë. Avokti i tij Genc Gjokutaj në “Debat” nga Alba Alishani i hodhi poshtë këto hipoteza.
Sipas tij, zvarritje të procesit nuk ka dhe as nuk po përpiqen që të fitojnë kohë. Pas marrjes së autorizimit nga Parlamenti, ka nisur procesi i zëvendësimit të masës së sigurisë, por mbrojtja e Sali Berishës ka kërkuar përjashtimin e gjykatëses Irena Gjoka nga procesi.
Gjokutaj deklaroi se 48 orë nuk janë zgjatje e procesit duke shtuar se koha do të shterojë dhe një vendim do të merret. “Nëse nuk përjashtohet gjykatësja, nuk mund të shpallet vendim për masën e sigurisë, duke qenë se kjo ishte arsyeja që seanca u shty për të shtunën,” shpjegoi ai.
Pritet që kreut të Rithemelimit t’i ndalohet edhe komunikimi me qytetarët. Por avokati i tij thotë se për ta bërë këtë duhet marrë sërish autorizim nga Parlamenti. “Një organ i akuzës nuk mund t’i të ndërpresë të drejtën e komunikimit liderit të opozitës. Cenohet misioni i tij prej deputeti”.