Murtaja afrikane te derrat, ekspertët: Ka kohë në Shqipëri
Murtaja afrikane e derrave është në vend. Ministria e Bujqësisë bën të ditur se është identifikuar një vatër në Ishull-Lezhë, në një fermë në të cilën kanë ngordhur 15 derra, që tashmë janë groposur.
“Po flasim për një sëmundje që nuk ka rrezikshmëri për konsumatorin. Normalisht konsumi i produkteve nga kafshë të sëmura duke qenë se ulë imunitetin nuk është një mish i ushqyeshëm nuk këshillohet të konsumohen këto kafshë me sëmundje. Murtaja e kafshëve ka të bëjë më dëmet e mëdha ekonomike që shkaktohen. Por për sëmundjet e tjera janë marrë masa”, thotë Ervin Resuli, kreu i Urdhrit Profesional të Veterinerëve.
Shqipëria ka marrë masa për një sërë sëmundjesh që rrezikohen të transmetohen nga importet në shtetet e tjera që i kanë prezente, si bruceloza, gjuha blu apo dhe ajo e ruminatëve. Ndonëse kjo sëmundje nuk transmetohet te njerëzit, është e rëndësishme të tregohemi të kujdesshëm sipas ekspertëve.